Arbëri

Kushtetuesja rrëzon vendimin për shkarkimin e Veliajt, e rikthen si kryetar të Tiranës

Erion Veliaj

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, ia ka dhënë të drejtë Erion Veliajt për të vazhduar detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Sipas raportimeve të Top Channel, vendimmarrja në trupën e gjyqtarëve ka qenë 5-3 në favor të rrëzimit të vendimit të Qeverisë që shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës, pas propozimit që i kishte bërë Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Me këtë vendim, anulohet gjithashtu edhe dekreti i presidentit Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme të zhvilluar më 23 shtator të këtij viti, Këshilli Bashkiak i Tiranës kishte votuar me 51 vota pro, për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e kryetarit të Bashkisë. Vendimi erdhi pas një propozimi të bërë publikisht nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, ku ai shpalli si kandidate për drejtimin e bashkisë ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.