Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.
Kushtetuesja po ashtu ka obliguar deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.
“TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; III. TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi”, thuhet në njoftim.
Sot ishte dita e fundit e masës së përkohshme që Gjykata Kushtetuese ia caktoi konstituimit të Kuvendit, duke ua ndaluar çfarëdo veprimi apo procedure për formimin e Qeverisë së re.
Vendimi ishte marrë më 6 shtator dhe u bazua në kërkesën e 9 deputetëve të Listës Serbe (LS) dhe të deputetit goran, Adem Hoxha, lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë. Masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga premtja, do të zgjasë deri më 30 shtator, kur më së largu do të pritet një vendim përfundimtar për çështjen.
Kjo masë qe kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka bërë thirrje që të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.
Pranë Kushtetueses, Lista Serbe e ka kontestuar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet, vendimin për zgjedhjen e nënkryetares nga grupi multietnik, Emilja Rexhepi, procedurën e tentimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb dhe të gjitha vendimet e nxjerra në seancën konstituive të 26 e 28 gushtit. Në këtë parti të serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë argumentuar se sikurse LVV-ja që si fituese e zgjedhjeve e ka pasur të drejtën për ta propozuar kryetarin Kuvendit, edhe Lista Serbe, si fituese e shumicës së votave të serbëve të Kosovës, ka të drejtë ta nxjerrë emrin për nënkryetarin serb. Në ankesë, ky subjekt ka kërkuar që Gjykata të konstatojë se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke e veçuar votimin për nënkryetarët nga komunitetet dhe duke e ftuar grupin multietnik para komunitetit serb që ta bëjë propozimin. Tjetër kërkesë e Listës Serbe është që të shpallet kundërkushtetuese zgjedhja e Emilja Rexhepit nënkryetare si dhe që Kushtetuesja ta urdhërojë Bashën ta përsërisë procedurën e votimit për nënkryetarët nga komunitetet.
Zgjedhja e nënkryetarit serb nuk është arritur, pasi që Lista Serbe ka këmbëngulur që për këtë post ta propozojë deputetin, Slavko Simiq, ani se ai nuk ka arritur t’i siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit. Pasi kjo parti nuk ka pranuar që ta propozojë një kandidat tjetër, kryeparlamentari Dimal Basha ka vendosur që kandidati të nxirret me short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post është propozuar edhe deputeti i partisë serbe “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, i cili aktualisht është ministër në detyrë në qeverinë e Kurtit. Por as Rashiqi nuk ka marrë vota të mjaftueshme në tri raunde votimi.
E pasi që janë konsumuar të gjithë deputetët serbë, Basha në mënyrë të njëanshme e ka mbyllur seancën konstituive dhe ka deklaruar se Kuvendi është konstituuar.
Seanca konstituive për legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit ka nisur më 15 prill. Pas afro pesë muajsh bllokadë, dy aktgjykimesh të publikuara nga Kushtetuesja dhe një mase të përkohshme, Basha i LVV-së është zgjedhur kryetar Kuvendi më 26 gusht. Më pas, nëpërmjet votimit të përbashkët janë zgjedhur edhe nënkryetarët nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike (PDK) dhe Kujtim Shala nga LDK-ja.
Ngërçi politik ka ndodhur pasi asnjëra nga subjektet politike nuk ka fituar vota të mjaftueshme për të formuar vetë institucionet dhe në mungesë të një marrëveshjeje politike.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë Kurti ka fituar 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit. PDK-ja ka dalë parti e dyta me 24 vende të siguruara në Kuvend, LDK-ja e treta me 20, e pasuar nga Lista Serbe me 9 deputetë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.
Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.
Miftaraj: Vetëvendosje sinonim i shkeljeve kushtetuese, keqqeverisjes e korrupsionit
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka reaguar pasi njoftimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit.
Kushtetuesja ka njoftuar se Kuvendi nuk është i konstituuar pas zgjedhjen e nënkryetarit serb dhe ka urdhëruar deputetët që brenda 12 ditëve, pas shpalljes së aktgjykimit, ta kompletojnë konstituimin e Kuvendit.
Miftaraj ka thënë se “Lëvizja Vetëvendosje është sinonim i shkeljeve kushtetuese”.
“Do habitesha shumë nëse LVV e kupton dhe zbaton Kushtetutën, respekton sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, lufton korrupsionin. Përndryshe, LVV është sinonim i shkeljeve kushtetuese, keqqeverisjes, korrupsionit dhe subvencioneve për familjarë të Fitores. Dejona tash përmes ushtareve te saj na mban ligjërata mbi patriotizmin dhe parimet kushtetuese”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.
Shala: Kushtetuesja është e qartë në vendimin për konstituim të Kuvendit
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.
Kjo gjykatë, obligon po ashtu deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, tha se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të sotëm ka treguar qartë procedura ligjore dhe kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Shala thekson për KosovaPress se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është përkitazi me atë që e kishte thënë edhe IKD vazhdimisht “se pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve ku përfshihet edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar”.
“Me njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese është konfirmuar ajo që si IKD kemi thënë vazhdimisht se pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve ku përfshihet edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar. Bazuar në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, rezulton se ky është vendim se seanca konstituive nuk ka përfunduar dhe për pasojë me rastin e publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese që paraqet edhe momentin e hyrjes në fuqi të aktgjykimit, deputetët duhet të mblidhen jo më vonë se 48 orë për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Sipas njoftimit Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces brenda 12 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit”, ka thënë Shala.
Shala thotë se Kushtetuesja është e qartë në vendimin për konstituim të Kuvendit, por sipas tij, këto mbetet të shihet nga momenti i publikimit të aktgjykimit të plotë nga ana e Gjykatës Kushtetuese për seancat e radhës.
“Bazuar në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, që në përputhje me kushtetutën gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, ta ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Potencialisht mund të ketë edhe një sërë përfundimesh dhe standardesh përkitazi me këtë çështje të cilat janë trajtuar nga Gjykata Kushtetuese, porse këto mbetet të shihen nga momenti i publikimit të aktgjykimit të plotë nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën ta zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit./KSP
Gashi: Logjika kushtetuese është e qartë, konstituim ose zgjedhje
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka treguar qartë se çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues.
Përmes një reagimi në Facebook ai ka shtuar se ka vetëm dy rrugë përpara, konstituim ose zgjedhje të reja.
Reagimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë sot vendimin lidhur me konstituimin e Kuvendit. Mesazhi është i qartë: Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.
Nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit, Kuvendi ka vetëm 12 ditë kohë për ta përmbyllur procesin.
Gjykata i ka obliguar të gjithë deputetët që të ushtrojnë funksionin e tyre në interes të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Logjika kushtetuese është e qartë: nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit kushtetues, ai shpërndahet dhe qytetarët vendosin përsëri në zgjedhje brenda 45 ditëve. Nuk ka më justifikime për bllokada politike.
Pra, rruga është e thjeshtë: ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje.