Arbëri

Kuvendarët kërkojnë nga organet e rendit të hetojnë gjetjet e Auditorit në Podujevë

Kuvendarët e Podujevës kanë kërkuar hetim për gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2020. Sipas tyre, “opinioni i kualifikuar” për Podujevën, siç është vlerësuar nga Auditori, mund të hap rrugë për organet e rendit që të hetojnë ato shkelje të qeverisjes së LDK-së. Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, gjetjet e ZKA-së i ka prezantuar drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani.

Ai ka thënë se janë gjithsej 14 të gjetura nga Zyra Kombëtare e Auditimit, për të cilat ka thënë se nuk duhet të përsëriten.

“Po besojmë edhe në bazë të planit të veprimit edhe në bazë të angazhimit që jemi duke e bërë, në vitin e ardhshëm nuk do të jenë këto të gjetura në raportin e Auditorit për vitin 2021. Diçka çka është shqetësuese që shumë të gjetura të ZKA janë përsëritur vit pas viti. Ky raport është për vitin 2020 dhe nuk e atakon këtë qeverisje. Mirëpo na takon neve që ta marrim këtë plan dhe të mos përsëriten në vitin 2021”, ka thënë Osmani.

Shqetësuese i ka cilësuar gjetjet e Auditorit edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti. Edhe pse i takon partisë e cila ka qeverisur gjatë vitit të kaluar, ai ka thënë se përgjegjësia është individuale dhe se janë organet të cilat duhet të merren me to.

“Ndërsa për mua shqetësuese është te menaxherët e kontratave. Nëse i referohesh Ligjit për prokurimin publik, atëherë menaxheri i kontratës, ka tentuar me i ikë përgjegjësisë, sepse përgjegjësia është individuale, prej atyre që deri dje kanë qenë në ekzekutiv. Mirëpo, me rëndësi është se duhet të ketë kujdes, sepse nëse janë bërë gabime dje, sepse për herë të parë është një raport i kualifikuar, atëherë edhe planin e veprimit që e përmendi drejtori, duhet ta bëjnë organet aktuale në harmoni me kompetencat”, është shprehur Ajeti. “Përtej kësaj, nëse ka shkelje substanciale, atëherë ne e dimë që janë organet veç e veç të pushtetit të cilat do të merren me to”.

Kritik ka qenë edhe këshilltari i LVV-së, Ragip Fetahu. Ai ka thënë se raporti flet për periudhën sa ka qeverisur LDK-ja dhe se i njëjti liston një varg shkeljesh ligjore që, sipas tij, kanë bazë edhe për ndjekje penale.

“Janë 14 të gjetura me shkelje të ndryshme ligjore duke filluar nga shkelja e Ligjit të menaxhimit të financave publike, atë të prokurimit publik, Ligjit për zyrtarët publikë e deri te shkelja e Rregullores për menaxhimin e pasurive jofinanciare”, është shprehur Fetahu. “Më lejoni t’i përmendi vetëm 3 nga këto shkelje ligjore: Tejkalimi i vlerës së nënshkruar të kontratës; mosrespektimi i kritereve për dhënien e subvencioneve. Në një rast, një banor i Komunës së Podujevës ka përfituar benefite në bujqësi me numra identifikues të lopëve të fqiut të tij pa pasur lidhje me bujqësi. Pra ai i ka marrë ata vathët qysh thotë populli të lopëve të kojshisë edhe me ata vath ka përfituar benefite prej Drejtorisë së Bujqësisë; 3. Specifikimi teknik jo i qartë...”.

Ndërsa, këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica, megjithëse ka folur për gjetjet e Auditorit, nuk ka lënë pa e kritikuar edhe qeverisjen aktuale. Ai ka thënë se ekzekutivi i LVV-së nuk dallon nga modeli i qeverisjes së djeshme të LDK-së.

“Po e shohim që raporti është i kualifikuar dhe kjo hap rrugë të veprës penale. Nuk e di anashkalimin e procedurave të prokurimit qysh do ta bën kryetari me të njëjtin drejtor të prokurimit (menaxher v.j.). 15 rekomandime e 3 me u rregullu janë pak prej qeverisjes së kaluar. Ato subvencionet që i ka marrë qysh tha kolegu në bujqësi, duhet me u tërheq”, ka theksuar Llapashtica.

Sipas tij, drejtor të caktuar të LVV-së pasi e kanë linçuar një kompani publikisht, i kanë dhënë tenderë 300 mijë euro.