Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se njehsorët elektrikë janë duke matur gabimisht kohën. Në një konferencë për media të mërkurën, Azemi ka thënë se ka bërë një hulumtim për energjinë elektrike ku si mostër kanë përdorur mbi 800 njehsorë në Prishtinë dhe Ferizaj dhe në bazë të këtij hulumtimi kanë gjetur që rryma matet gabimisht dhe gjithmonë me të shtrenjtën.
Ai ka thënë se 87 për qind e njehsorëve që i ka testuar kanë rezultuar që nuk e matin kohën siç duhet. Sipas tij, këtu flitet për mashtrim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Dhe këtu, nuk po flasim për një gabim teknik, po flasim për një mashtrim ose manipulim sistematik, sepse mostra prej 884 njësorëve nga të cilët 87% nuk është një rastësi, pra nuk mund të themi që ka një ‘glitch’ të sistemit, por po flasim që ka një manipulim ku ky skandal iu ka kushtuar qytetarëve miliona euro. Pra, po i shihni disa njësorë të energjisë elektrike dhe po e shihni që nuk përkojnë me kohën reale. Pra koha në njësor këtu për shembull është 07:55 minuta në mëngjes, koha reale është 3:26 pasdite”, ka thënë ai.
Sipas Azemit, qytetarët paguajnë gjithmonë me tarifa të shtrenjta edhe pse nga ora 22:00 tarifa është e caktuar me të lirën.
“Në momentin kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë i aprovon tarifat dhe ne kemi tarifën e dimrit dhe të verës, kemi tarifën e ulët dhe të shtrenjtë në orën 22:00 në mbrëmje, gjatë muajve të dimrit, supozohet që qytetarët e Kosovës ta përdorin tarifën e ulët të energjisë elektrike. Dhe në atë kohë ne i kemi ndezë pajisjet elektroshtëpiake, pra në orën 22:00 kemi lëshuar ndoshta nxehjen, kemi lëshuar lavatriçen, pajisjet për larjen e enëve, ku ta di unë, duke menduar që po faturohemi me të lirën, realisht energjinë jemi duke e paguar me të shtrenjtën. Dhe dallimi këtu në çmim e dini që është 6 e sa centë me të lirën dhe 13 centë është me të shtrenjtën, pra ka një dallim diku prej 112% rritje. Pra ky është mashtrim. Po i shihni këta katër njësorë, varion dallimi prej dy orë e tetë minuta në të parin, tre orë e gjysmë këtu, shtatë orë e gjysmë këtu, i fundit ka tetë orë e tetë, po ka edhe raste ku kjo diferencë shkon deri në 15 orë. Pra është komplet disbalancë dhe çakordim i komplet sistemit të faturimit të energjisë elektrike”, është shprehur tutje Azemi.
Për këtë, Azemi ka kërkuar dorëheqjen e Bordit të ZRRE-së dhe hetim penal.
“Pra, këtu duhet kërkuar përgjegjësi, sepse po shohim qartë që qytetari nuk paska abuzuar, paska abuzuar KEDS-i në këtë rast. Dhe KEDS-in e monitoron dikush: Zyra e Rregullatorit të Energjisë, që është bashkëfajtore në këtë mashtrim. Pra, nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë i ka aprovuar tarifat dhe ka tregu se kur qytetari duhet të faturohet me çmim të lirë dhe kur duhet të faturohet me çmim të shtrenjtë, atëherë ata është dashur të kujdesen që ai implementim i atyre rregulloreve, i atij ligji që kanë nxjerrë vetë Zyra e Rregullatorit të Energjisë, të zbatohet. Pra ata nuk janë kujdes dhe ka ardhur deri te kjo të cilën po e shohim në ekran, në fotografitë të cilat i paraqita edhe pak më herët. Dhe në fund tash, unë mendoj që këtu duhet të shikohet zinxhiri i përgjegjësisë. Pra, të gjithë ata që kanë përgjegjësi duhet të marrin dënimin e merituar. Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës kërkojmë që të ketë hetim të pavarur, forenzik madje, dhe auditim të sistemit të faturimit të KEDS-it. Duhet dhe po kërkojmë tërheqjen e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sepse këta kanë dështuar të implementojnë vendimet e tyre, ligjet e Republikës së Kosovës, kodin e faturimit dhe kanë dështuar të mbrojnë interesin e qytetarit. Prandaj kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të bordi”, ka shtuar ai.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në KEDS, por edhe në ZRRE. Sapo të marrë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
KEDS-i atë kohë pati ftuar qytetarët që të ankohen për këtë çështje.
Në strukturën e tarifave me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët me shërbime universale të furnizimit është përcaktuar që tarifa e lartë aplikohet prej orës 07:00h - 22:00h gjatë periudhës 1 tetor deri me 31 mars, kurse prej orës 08:00h - 23:00h gjatë periudhës 1 prill deri më 30 shtator.
Tarifa e lartë për konsumatorët të cilët shpenzojnë më pak se 800 kilovatë orë energji elektrike në muaj është 9.05 centë për kilovat, teksa ajo e ulët është 3.88 centë për kilovat.
E për konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë orë, tarifa e lartë është 15.43 centë, ndërsa ajo e ulëta 7.28 centë.
LEXO EDHE: