Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë sërish janë mbledhur të enjten para foltores së Kuvendit Komunal, duke mos lejuar mbarëvajtjen e seancës.
Pas situatës së krijuar, shefi i grupit të asamblistëve të partisë në pushtet në Podujevë, Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar të shkohet në pauzë dhe të ketë takim ndërmjet shefave të grupeve për të gjetur një zgjidhje.
Në Kuvendin Komunal të Podujevës po debatohej për ndaljen e mëditjeve nga seanca e muajit shtator.
Gjatë diskutimit në Kuvend, asamblistët e LDK-së kanë kërkuar vendim në bazë të cilit ligj u janë ndalë mëditjet. Ndërkohë, si argument, kryesuesi i Kuvendit Komunal ua ka lexuar një Udhëzim Administrativ të vitit 2008. Por, me këtë nuk janë pajtuar asamblistët e LDK-së.
Seanca ishte paraparë të mbahej të hënën, por ishte shtyrë për sot pasi LDK-ja i kishte penguar punimet.