Arbëri

LDK: Presim që Kushtetuesja të veprojë në përputhje me mandatin e të marrë vendim të drejtë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se pret nga Gjykata Kushtetuese që të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe të japë një vendim të drejtë lidhur me situatën aktuale të bllokadës institucionale. 

“Lënda e dorëzuar nga LDK-ja para Gjykatës Kushtetuese ka në thelb një fakt të pakontestueshëm: subjekti politik që ka dalë i pari në zgjedhje nuk e ka zbatuar agjendën e seancës konstituive, duke refuzuar të propozojë kandidat për Kryetar të Kuvendit. Përkundrazi, përmes insistimit të përsëritur – plot 48 herë – është kërkuar votim jashtë rendit të ditës dhe jashtë procedurës kushtetuese, në vend se të propozohej kandidati për Kryetar Kuvendi siç kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare Kjo sjellje ka prodhuar bllokadë të qëllimshme dhe ka dëshmuar se subjekti në fjalë nuk ka pasur as vullnetin dhe as kapacitetin për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë që i takon të parit”, thuhet në komunikatën e LDK-së. 

LDK-ja në fillim të muajit të kaluar i është drejtuar Kushtetueses që t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershor, pas një aktgjykimi nga gjykata më e lartë e vendit.

“Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç në garantimin e funksionimit të institucioneve dhe në mbrojtjen e rendit demokratik në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. LDK-ja pret nga Gjykata Kushtetuese një vendim të drejtë dhe në përputhje me frymën e Kushtetutës – që i hap rrugë shumicës parlamentare të ushtrojë të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe të rikthejë normalitetin institucional. LDK-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen e rendit kushtetues dhe për një qeverisje që reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së. 

Presidentja Vjosa Osmani ka tërhequr të martën kërkesën e  saj adresuar dy javë më parë në Gjykatën Kushtetuese për t’i definuar pasojat juridike që prodhohen pas dështimit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin brenda 30 ditësh.

Në një konferencë shtypi, ajo njoftoi se veprimin e ka ndërmarrë meqë gjykata e ka caktuar gjyqtar raportues Radomir Labanin.

Sipas Osmanit, në bazë të informacioneve të institucioneve të sigurisë, gjyqtari serb përbën rrezik për rendin kushtetues të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ua ka ndaluar deputetëve çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor që e pati përcaktuar në  aktgjykimin e parë (pas kërkesës  së AAK-së). Masa e përkohshme e Kushtetueses, ka hyrë në fuqi nga 27 korriku dhe mbaron më 8 gusht.