Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme, e cila i ka refuzuar si të pathemelta ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Ashkalinjve sa i përket procesit të votimit me postë.
Kjo parti ka thënë se ky vendim i Supremes konfirmon edhe një herë se përpjekjet e Vetëvendosjes për ta kontestuar votën e lirë të qytetarëve ishin të pabaza dhe politikisht të motivuara.
“Përpjekja për të anuluar këto vota përbënte një tentim të hapur për të përmbysur vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë në mërgatë, vetëm e vetëm pse ata nuk votuan sipas dëshirave të Vetëvendosjes. E gjithë kjo u shoqërua me një fushatë manipulimesh, presioni publik dhe shpifjesh nga akterë të Vetëvendosjes. Për më tepër, përmes videove të publikuara nga vetë aktivistët e kësaj partie, u dokumentua qartazi ndërhyrja dhe mbushja në masë e fletëvotimeve në kundërshtim me çdo standard demokratik”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Tutje kjo parti ka thënë se Supremja e ka vulosur të vërtetën dhe ka riafirmuar parimin se vullneti i lirë i qytetarëve nuk mund të kontestohet nga asnjë forcë politike që nuk e pranon rezultatin zgjedhor.
“Ne nuk do të lejojmë që demokracia të përdhoset nga manipulimi, propaganda dhe përpjekjet për të deformuar të vërtetën. Për LDK-në, kjo është një fitore institucionale dhe morale, ndërsa për Vetëvendosjen, një dështim i turpshëm që i ekspozon para qytetarëve si një subjekt që është i gatshëm të shkelë mbi parimet demokratike për interesa të ngushta politike”, thuhet tutje në reagim.
Këtë vendim të Supremes, Vetëvendosja ka njoftuar se do ta çojë në Kushtetuese.