Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Zëri i saj” ndjek hapat e Nexhmije Pagarushës si kujtesë e trashëgimi

“Zëri i saj” që ndërthur baletin, vallen e poezinë, të përcjella nga kënga e Pagarushës si trashëgimi, vizaton portretin e një artisteje unike. Ka përkuar edhe me 93-vjetorin e lindjes së Bilbilit të Kosovës (Foto: Visar Kadrolli)

“Zëri i saj” që ndërthur baletin, vallen e poezinë, të përcjella nga kënga e Pagarushës si trashëgimi, vizaton portretin e një artisteje unike. Ka përkuar edhe me 93-vjetorin e lindjes së Bilbilit të Kosovës (Foto: Visar Kadrolli)

Projekti në të cilin i janë bashkuar shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova”, Opera e Kosovës dhe “Shota”, shpalos rrugëtimin artistik të Bilbilit të Kosovës. Përmes gjuhës së trupit, tingullit dhe të fjalës, është rikthyer figura e Nexhmije Pagarushës. Ka qenë si akt kujtese e nderimi për figurën që vazhdon të frymëzojë breza të tërë artistësh

“Zëri i saj” ka qenë homazh i ndjerë për ikonën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. Artistët e rinj e ata të konsoliduar kaherë në skenën artistike, e kanë materializuar në shfaqje që ndërthur baletin, vallen e poezinë, të përcjella nga kënga e Pagarushës si trashëgimi. Ideja e projekti i shkollës së mesme të muzikës “Prenk Jakova” është përkthyer në program edukativ të Operës së Kosovës e ansamblit të këngëve e valleve “Shota” me titull “EduOpera”.

Të mërkurën u shfaq për të parën herë para publikut, ndërsa një tjetër shfaqje pati edhe të enjten, të dyja në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Projekti nën koreografi dhe me koncept nga Driton Saqipi, shpalos rrugëtimin artistik të Bilbilit të Kosovës. Përmes gjuhës së trupit, tingullit dhe fjalës, është rikthyer figura e  Pagarushës, e cila vdiq më 7 shkurt të 2020-s në moshën 86-vjeçare.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Koreografi Saqipi ka theksuar dimensionin emocional dhe përkushtimin ndaj kësaj figure.

“Si ide nuk ka qenë e vështirë të përzgjidhet sepse bëhet fjalë për një nga ikonat tona më të mëdha kombëtare, pra Nexhmije Pagarusha. Unë si artist i ri i drejtimit të baletit, si koreograf, jemi munduar që nëpërmjet lëvizjeve ta nderojmë atë”, ka thënë ai.

Ka thënë se në këtë rrëfim skenik, jeta e Pagarushës përshkohet në etapa, nga fillimet e vështira deri te kulmi i karrierës dhe vitet e pleqërisë.

“Jam munduar ta marr jetën e Nexhmijes që nga fillimi i karrierës, sukseset, kulmi i karrierës, normalisht fillimet nuk kanë qenë të lehta. Aty është edhe dashuria me Rexho Mulliqin dhe në fund, pleqëria, që dihet. Edhe kënga ‘Vet ke mbet’ i është përshtatur, kështu që ka dalë, mund të them, si një lloj filmi e jo si shfaqje”, është shprehur Saqipi duke e përkufizuar veprën si një narrativë të ndërtuar përmes emocioneve dhe kujtesës kolektive.

Shfaqja, e cila fillimisht nisi si projekt shkollor, gjeti mbështetje institucionale.

“Kjo shfaqje ka qenë projekt i shkollës, por filloi të marrë përmasa më të mëdha. Për fat të keq, si shkollë, nuk kemi pasur buxhet dhe lindi ideja që pse të mos bëjmë kërkesë tek institucionet, të cilat mendoj se duhet të mbështesin talentet e reja. Drejtuesit e Operës, e më pas edhe të ansamblit ‘Shota’ me shumë kënaqësi e kanë mirëpritur idenë time”, ka thënë Saqipi, zëvendës i drejtorit në “Prenk Jakova”.

Në skenë, lëvizjet e balerinëve kanë qenë të ndikuara fuqishëm nga elementet e kërcimit tradicional, duke krijuar një ndërthurje të natyrshme mes baletit klasik dhe trashëgimisë folklorike. Çdo këngë e Pagarushës ka qenë rrëfim më vete, në fragmente që komunikojnë përmes trupit.

Programi ka përfshirë performancat nën ritmet e vargjet e këngëve “Mbi re” nga Severin Kajtazi, “Një pikë vese”, “Me lule të bukura” nga Tish Daija, “Zëra në hije (Pëshpërimat) nga Bardh Dubovci, “Zëri i tij më thërret” nga Gjergj Kaçinari e “Intermezzo” nga Valton Beqiri.

Në disa momente, performanca prek edhe dimensionet më të errëta të rrugëtimit artistik të Pagarushës, përmes zërave të deformuar dhe shenjave të përbuzjes që ilustrojnë paragjykimet e kohës.

Një pjesë e rrëfimit i kushtohet edhe dashurisë së saj ndaj kompozitorit Rexho Mulliqi, që portretizohet me performancën e një balerini e një balerine. E dueti tjetër në balet, i ndërtuar mbi këngën “Kur një ditë të kthehesh ti” sjell dialog të ndjerë dashurie në skenë. Ansambli “Shota” ka sjellë frymën tradicionale përtej lirikes, me veshje kombëtare dhe një vallëzim ku dominon elementi folklorik, nën pjesën tradicionale “Binë tupanat”.

Aktorja e këngëtarja Edona Reshitaj ka interpretuar poezinë e poetes Naime Beqiraj kushtuar Pagarushës.

“Në fillim ishte e menduar të bëhet një monolog por pastaj menduam të jetë një poezi e cila pati shumë brumë edhe për t’u interpretuar si një lloj monologu apo si një lloj tregimi, qoftë edhe pjesa ku flet vetë Nexhmija. Ishte shumë e bukur për mua sepse kur marr pjesë nëpër ngjarje që i dedikohen Nexhmije Pagarushës, e dinë që unë këndoj. Kësaj here erdha me një interpretim dhe kjo më bën të ndihem shumë e veçantë sepse me këndim e kam nderuar shumë shpesh”, ka thënë Reshitaj.

Ka thënë se ka qenë kombinim i bukur për ta nderuar figurën e madhe të Nexhmije Pagarushës dhe se e kanë kapluar emocionet në skenë, gjatë interpretimit.

“Duke e ditur që ajo ka qenë edhe aktore, edhe këngëtare, e edhe unë i bëj të dyja, kësaj here në rolin prej aktoreje më bëri të ndihem shumë mirë dhe shumë e emocionuar. I pata disa momente kur më mbërthyen emocionet, por e mira e këtij interpretimi është që, jo si e këngës kur patjetër duhet të vazhdosh sepse është një këngë që të përcjell, këtu mundesh ta bësh një pauzë të natyrshme sepse nganjëherë emocionet e tepërta mund të ndikojnë negativisht”, ka vazhduar ajo.

Poezia, e interpretuar mbi melodi melankolike të violonçelit ka krijuar një ndjesi që e afron publikun me dimensionin njerëzor të artistes.

Kulmi emocional arrihet me performancën e përcjellë nga kënga “Vetë ke mbet”, që vjen si reflektim i fuqishëm mbi vetminë dhe përmasën e sakrificës artistike. Por edhe me shuarjen e vetë artistes në performancën e përcjellë nga “Elegji” e Bardh Dubovcit.

Dirigjenti Edon Ramadani e ka konsideruar projekt serioz atë me titull “Zëri i saj”. Ka bërë me dije se ka qenë e planifikuar të bëhet komplet origjinale, me muzikë nga orkestra, e përcjellë nga kori, por ka thënë se nuk ka kushte në sallë për një formacion të tillë.

“Përmes kësaj performance u shpalos jeta e këngëtares sonë ikonike Nexhmije Pagarusha me pikë të ndryshme. Fillimisht kjo ka qenë e planifikuar të bëhet në mënyrë më madhështore me kor dhe me orkestër, por realisht ky ka qenë maksimumi që është bërë sepse kam qenë në struktura organizative në idenë origjinale, por me sallat që posedojmë ka qenë e pamundur të realizohet ky projekt me një trupë më të madhe sesa ishte sonte. Fatkeqësisht është dashur të shkojmë me incizimet origjinale. Shpresojmë që herëve të ardhshme fillimisht na bëhet një sallë adekuate ku mundemi këtë ide ta zhvillojmë dhe t’i riorkestrojmë e t’i bëjmë këto pika me orkestër të madhe e eventualisht edhe me kor”, ka thënë Ramadani.

Me pjesëmarrjen e solistëve Adela Muçollari, primabalerinë e Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, dhe Anxhelo Muçollari, solist i parë i Teatrit të Operës dhe Baletit Shqiptar, shfaqja është përforcuar për nga dimensioni profesional.

Nexhmije Pagarusha shkollën fillore e kreu në Malishevë, më vonë u vendos në Prishtinë. Shkollimin e mesëm muzikor, solokëndimin, e filloi në Beograd, ku qëndroi për tre vjet, por për shkak të rrethanave jo të volitshme e ndërpreu. Ajo filloi të këndojë që në fëmijëri, por karrierën e vërtetë e nisi më 1948, si këngëtare në Radio Prishtinë.

Ka kënduar në manifestime dhe në festivale në Kosovës dhe të gjitha viset e tjera, duke arritur popullaritet të madh për potencialin e saj vokal në ish-Jugosllavi, në Bullgari, Turqi, dhe disa shtete evropiane, si dhe të Lindjes së Afërt, në Amerikë e tjerë. Këndoi mbi 40 vjet pa ndërprerë dhe jo gjithnjë në kushte të përshtatshme për një soliste si ajo.

Repertori i saj interpretues është tejet i gjerë dhe i larmishëm. Veçohen këngët “Ani mori nuse”, “Kur më del në derë”, “Metelikun ta kam fal”, “Po të pres te dega e fikut”, “Mora testinë”, “Kënga e Rexhës” e të tjera. Me saktësi e bukuri i këndoi këngët e përpunuara dhe të kompozuara nga bashkëshorti i saj, kompozitori Rexho Mulliqi, ndër të cilat: “Lulëzoi fusha, lulëzoi mali”, “Zambaku i bardhë”, “Një lule që m’ka çelë tash”, si dhe ato origjinale. “Baresha”, është cilësuar si xhevahir i muzikës shqipe.

Nexhmije Pagarusha ka ushtruar edhe aktivitet prej aktoreje, duke u paraqitur në disa vepra skenike e filma si “Tre vetë kapërcejnë malin”, “E kafshoja terrin”, “Fluturimi i Micakut”. Vlerësimi i lartë dhe dashuria e madhe që kishin kritikët dhe publiku ndaj saj, bëri që ajo të gëzonte titullin

Bilbili i Kosovës.

Prej vitit 1984 vendos ta përmbyllë karrierën prej këngëtareje. Nexhmije Pagarusha vdiq më 7 shkurt të vitit 2020, në moshën 86-vjeçare. Zëri i saj është përjetësuar më shumë se 150 këngë në periudhën mes viteve ’50 dhe mesit të viteve ‘80. Ajo është nderuar me medalje presidenciale për veprimtari jetësore, përderisa mban edhe titullin “Nderi i kombit”.

Homazhi për të –  “Zëri i saj” – ka qenë si akt kujtese e nderimi për figurën që vazhdon të frymëzojë breza të tërë artistësh.