Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Abdixhiku: Ta ruajmë unitetin dhe solidaritetin

2 o. më parë / 20 mar 2026 11:11
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë thirrje për ruajtje të unitetit dhe solidaritetit mes qytetarëve të Kosovës.

Në mesazhin për Fitër Bajram në Bashkësinë Islame të Kosovës, Abdixhiku ka bërë thirrje për mbështetje për ata që kanë më shumë nevojë.

“Sot me bashkëpunëtorë uruam Myftiun Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij dhe nëpërmjet tij gjithë komunitetin e besimit islam në Kosovë për festën e Fitër Bajramit. Lutjet dhe agjërimi i muajit të shenjtë të Ramazanit u pranofshin nga krijuesi. Mbi të gjitha në këtë periudhë edhe përtej kësaj periudhe t’i ruajmë, t’i kultivojmë dhe t’i mbrojmë këto vlera që rëndom i gjejmë gjatë këtij muaji të shenjtë dhe gjatë festës së Bajramit, pra solidaritetin ndaj njëri-tjetrit, mbështetjen ndaj atyre që janë në nevojë, unitetin sa më të madh të njerëzve të Republikës së Kosovës. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin tonë dhe familjet tona. Me fat Bajrami!”, tha Abdixhiku.

Hamza: Energjia pozitive të jetë te të gjitha institucionet

2 o. më parë / 20 mar 2026 10:55
Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se populli i Kosovës gjithmonë ka qenë solidar dhe i tillë po vazhdon të jetë.

Në vizitën për Fitër Bajram në Bashkësinë Islame, Hamza ka thënë se vizita reflekton energji pozitive dhe ka uruar që kjo energji të jetë te të gjitha institucionet.

“Sot si gjithherë bashkë me kolegët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës jemi në vizitë tek udhëheqësit e Bashkësisë Islame për t’ju uruar për Bajram, njëkohësisht t’ju urojmë edhe gjithë besimtarët duke ju dëshiruar shëndet dhe të gjitha të mirat për ta dhe për familjet e tyre. Është muaj i solidaritetit, populli jonë gjithmonë ka qenë solidar, është dhe jam i bindur që ky solidaritet edhe mbas asaj që na tregon gjithmonë Myftiu duke u rritur, dhe është tepër mirë që njerëzit në nevojë përkrahen, ndihmohen. Kjo vizitë mes nesh të reflektojë energji pozitive dhe ky pozitivitet të jetë në të gjitha institucionet, gjithmonë duke e respektuar edhe Bashkësinë Islame, po edhe institucionet e shtetit. Urime për të gjithë besimtarët, jetë të gjatë edhe të lumtur e shëndet për familjet e tyre, të gjitha të mirat. Faleminderit Myfti”, ka thënë Hamza.

Haxhiu: Bajrami të shërbejë si kujtesë që mund të japim shumëçka nga vetja

2 o. më parë / 20 mar 2026 10:32
Albulena Haxhiu

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka bërë thirrje që festa e Fitër Bajramit të shërbejë si kujtesë që secili mund të japë më shumë nga vetja për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë.

Në vizitën në Bashkësinë Islame, Haxhiu ka thënë se BIK-u ka pasur kontribut të madh për kultivimin e paqes e bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë.

“Vizita jonë sot këtu në Bashkësinë Islame të Kosovës është edhe si shenjë respekti për punën, për kontributin që Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, e sidomos në kultivimin e paqes, në bashkëjetesën ndërfetare, në mirëkuptim, që janë vlera shumë të rëndësishme për shoqërinë, por edhe për Republikën e Kosovës. Le të na shërbejë kjo festë e Fitër Bajramit si kujtesë se secili nga ne mund të japim shumëçka nga vetja, pikërisht që t’i lartësojmë këto vlera të shoqërisë sonë dhe pikërisht në këtë mënyrë e forcojmë besimin, por po ashtu edhe ndërtojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë”, ka thënë ajo.

Haradinaj: Sa më bashkë, aq më mirë për ne

3 o. më parë / 20 mar 2026 10:11
Haradinaj: Sa më bashkë, aq më mirë për ne

Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka uruar të gjithë qytetarët festën e Fitër Bajrami, duke bërë thirrje për solidaritet.

Haradinaj në Bashkësia Islame e Kosovës tha se sa më bashkë e solidarë, më mirë për popullin e Kosovës.

“Gëzuar festa me përkushtim, si e ka karakterizuar edhe muaji i shenjtë i Ramazanit. Me unitet që të jemi bashkë dhe solidaritet që t’i gjendemi njëri-tjetrit, sa më bashkë, sa më solidarë është mirë për të gjithë ne”, ka thënë Haradinaj.

Kurti: Bajrami na kujton që duhet të japim për ata që kanë më pak

3 o. më parë / 20 mar 2026 10:04
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti në vizitën te Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se festa e Fitër Bajramit është kujtesë për ndihmat që njerëzit duhet t’u japin atyre që kanë më pak e që ndodhen në kushte më të vështira.

“Pas muajit të shenjtë të Ramazanit erdhi Fitër Bajrami. Urime e përhajr Bajrami i Madh të gjithë besimtarëve, të gjithë shqiptarëve, një festë e gëzuar, e cila njëkohësisht na i përkujton vlerat e solidaritetit, të sakrificës, të ndihmës që duhet të japim për ata që kanë më pak, që ndodhen në kushte më të vështira. Si çdo vit, edhe sivjet, si për çdo Bajram, vizitën e parë e bëjmë te Myftiu Naim Tërnava, te kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, këtu në selinë e tyre në Prishtinë, për t’i falënderuar për angazhimin, punën, rolin, kontributin edhe aktual, edhe historik”, ka thënë Kurti.

Kurti ka vlerësuar edhe kontributin e myftiut Naim Tërnava për rezistencën kombëtare dhe hoxhallarët që kanë rënë dëshmorë në luftën çlirimtare.

“Sivjet janë bërë 30 vjet prej se unë njihem personalisht me myftiun Naim Tërnava dhe unë asnjëherë nuk e harroj kontributin e tij si udhëheqës i Medresesë ‘Alauddin’, ku mbaheshin atëbotë aktivitetet e shumta shoqërore dhe kombëtare në kuadër të rezistencës sonë. Gjithashtu, sot kujtojmë edhe 37 hoxhallarë, imamë, shehlerë, që ranë dëshmorë në luftën çlirimtare. E falënderoj myftiun Tërnava për bashkëpunimin që kemi me programet e ndryshme për paqe sociale, për mirëqenie qytetare, me shoqatën ‘Bereqeti’ dhe jo vetëm, dhe njëkohësisht shpreh zotimin tonë që do të bashkëpunojmë gjithnjë më ngushtë e më shumë edhe në të ardhmen. Edhe një herë, urime e gëzuar Fitër Bajrami”, ka shtuar Kurti.

Ipeshkvi Gjergji: Shqiptarinë e kemi bashkë dhe ta ruajmë

3 o. më parë / 20 mar 2026 09:47
Ipeshkvi Gjergji

Ipeshkvi Dodë Gjergji, në mesazhin e tij për Fitër Bajram, ka bërë thirrje për bashkim sa më të madh të kombit, sidomos në kohën për të cilën ai ka thënë se bota asnjëherë s’ka qenë më e rrezikuar.

Në vizitën në Bashkësinë Islame të Kosovës, Gjergji ka thënë se ky është moment i mirë për të festuar bashkë.

“Është një moment i mirë që të gjithë bashkë të festojmë. Edhe ne sikur katolikë jemi në kohën e kreshmës, në kohën e agjërimit, në kohën e reflektimit, në kohën e lutjes, në kohën e përmirësimit të marrëdhënies sonë me Zotin dhe me njëri-tjetrin. Kështu që shfrytëzoj rastin t’ju uroj të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, pavarësisht besimit katolik apo mysliman, ortodoks apo diçka tjetër, ne të gjithë kemi paqen në radhë të parë në zemrat tona, harmoninë dhe lumturinë në familjet tona, mirëkuptimin, paqen dhe rendin e vlerave dhe rregullat në shoqërinë tonë. E mbi të gjitha, i ftoj të gjithë sa për t’u lutur për paqe në botë, sepse bota asnjëherë s’ka qenë më e rrezikuar sesa në këto momente kur ne edhe agjërojmë, edhe festojmë së bashku. Prandaj nuk më mbetet asgjë tjetër përveçse për ta thënë atë që e ka thënë i madhi Fishta: ‘Ne vërtet i festojmë Bajram e Pashkë secili sipas mënyrës së vet, por shqiptarinë e kemi bashkë dhe të ardhmen duhet ta ruajmë si të tillë”, ka thënë Gjergji para mediave.

Osmani: Bajrami të shërbejë si festë për bashkim

4 o. më parë / 20 mar 2026 09:14
Presidentja Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar që festa e Fitër Bajramit të shërbejë si ditë për bashkim.

Në vizitën në Bashkësinë Islame të Kosovës, Osmani ka thënë se Bajrami shërben si ditë për hapje të zemrave dhe dyerve dhe tejkalim të kohërave të vështira.

“Ju uroj të gjithë qytetarëve të Republikës sonë me fat festën e Fitër Bajramit, duke uruar më të mirat për ta, duke shpresuar që Zoti i madhërishëm t’i ketë pranuar lutjet dhe agjërimin e gjithsecilit dhe duke shpresuar që kjo ditë, si gjithnjë përgjatë historisë sonë, të na bëjë të gjithëve bashkë, t’i hapë zemrat, t’i hapë dyert e secilit, ta rrisë solidaritetin dhe t’i rrisë vlerat njerëzore të cilat gjithmonë na kanë bërë bashkë si popull, përfshirë në kohët më të rënda, kur pikërisht ky bashkim, pikërisht hapja e zemrave dhe dyerve, na ka ndihmuar që t’i tejkalojmë kohë shumë të rënda për shtetin dhe për kombin tonë”, ka thënë Osmani.

Osmani, që është në fund të mandatit si presidente, ka falënderuar Bashkësinë Islame dhe myftiun Naim Tërnava për bashkëpunimin.