Arbëri

Ligjet që po trajtohen nga Kushtetuesja pengojnë anëtarësimin e Kosovës në SEPA

Kosova nuk arriti të bëhet anëtare e Zonës së Vetme të Pagesave në EURO e njohur si SEPA për shkak se ligjet që ishin parakusht për anëtarësim e të cilat Kuvendi i pati miratuar, janë duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese. Anëtarësimi në SEPA do të lehtësonte pagesat ndërkombëtare duke i bërë ato më të shpejta, më të lira dhe më të thjeshta për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Mbi 50 milionë euro në vit llogaritet të jetë kostoja shtesë e tarifave për transfere të parave për bizneset e Kosovës dhe për bashkatdhetarët

Kosova e humbi këtë javë mundësinë për t’u anëtarësuar në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro, e njohur si SEPA, ku do të lehtësoheshin pagesat ndërkombëtare. Shtetet e fundit që u anëtarësuan janë Shqipëria dhe Mali i Zi. 

Njoftimin për mosanëtarësimin e Kosovës e dha Urim Vokshi, i cili ka qenë i angazhuar si ekspert ligjor lokal për ta ndihmuar Komisionin Evropian për të vlerësuar nëse Kosova ka harmonizuar legjislacionin si parakusht për anëtarësim në SEPA. Sipas tij, parakusht për Kosovën është pritja e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që rregullojnë këtë fushë. 

“Banka Qendrore e Kosovës ka nxjerrë rregulloret përkatëse dhe ka para-aplikuar në SEPA. Vlerësimi i këtyre rregulloreve nëse janë të harmonizuara me EU-acquis është në proces, ndërsa sfidë mbetet fakti së Ligji 08/L-304 për Bankat, Ligji 08/L-328 për Shërbimet e Pagesave dhe Ligji 08/L-333 për plotësimin/ndryshimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit që rregullojnë këtë fushë janë në vlerësim të kushtetutshmërisë pranë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Pritja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është parakusht për të vazhduar ky proces më tej”, ka shkruar Vokshi.

Këto ligje ishin miratuar në dhjetorin e vitit të kaluar, por që më pas u dërguan për interpretim në Kushtetuese nga Partia Demokratike. Ministri në detyrë i Financave e ka bërë përgjegjëse këtë parti për mosanëtarësimin e Kosovës në SEPA.

“A mundet me pyet dikush Uran Ismailin pse e kanë blloku Kosovën në SEPA? Kosova po mbetet e fundit në integrim në SEPA, falë PDK-së e Uran Ismailit, sepse ligjet që ishin parakusht për anëtarësim e që Kuvendi i pati miratuar në fund të vitit të kaluar, PDK-ja i ka bllokuar në Gjykatë Kushtetuese. Kjo nënkupton mbi 50 milionë euro në vit kosto shtesë të tarifave për transfere të parave për bizneset tona dhe për bashkatdhetarët tanë. Kjo nënkupton mundësi më të kufizuara për startupet tona për të depërtuar në tregje të huaja. Të njëjtit sot garojnë nëpër komuna dhe duan të na tregojnë se si do t’u ndihmojnë ndërmarrësve dhe të rinjve për zhvillim e punësim, kur në fakt sa herë që u është dhënë mundësia kanë penguar”, ka shkruar Murati.

Anëtarësimi në SEPA do të lehtësonte pagesat ndërkombëtare duke i bërë ato më të shpejta, më të lira dhe më të thjeshta për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. 

Sipas Urim Vokshit, kursimi vjetor për bizneset dhe qytetarët do të ishte rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare, sipas një vlerësimi të German Economic Team (GET). 

SEPA është nismë gjithë evropiane, e themeluar në vitin 2008 me qëllimin për të thjeshtësuar, përshpejtuar dhe harmonizuar pagesat elektronike duke i ulur sa më shumë shpenzimet. 

“Falë Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), klientët mund të kryejnë pagesa në euro pa para në dorë - nëpërmjet transferimit të kreditit dhe debitimit direkt - në çdo vend të Bashkimit Evropian, si dhe në një numër vendesh jo-anëtare të BE-së, në një mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe efikase, njësoj si pagesat kombëtare. SEPA u prezantua për transfertat e kreditit në vitin 2008, e ndjekur nga debitimet direkte në vitin 2009, dhe u zbatua plotësisht deri në vitin 2014 në zonën e euros (dhe deri në vitin 2016 në vendet SEPA jashtë zonës së euros)”, thuhet në faqen e Bankës Qendrore Evropiane. 
Pjesë e SEPA-s aktualisht janë 41 vende duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së, disa shtete nordike dhe Mbretërinë e Bashkuar. 

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi tashmë kanë nisur zyrtarisht pagesat në euro përmes zonës SEPA.