Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Petkoviqi konfirmon marrëveshjen: Serbët mund të marrin frymë lirshëm

32 min. më parë / 14 mar 2026 12:27
Petar Petkoviq

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se marrëveshja mes Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës për Ligjin për të Huajt do të mundësojë funksionimin normal dhe të pandërprerë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë.

“Kam thirrur këtë konferencë të jashtëzakonshme për të njoftuar se kemi arritur një zgjidhje që do të mundësojë funksionimin normal dhe të qetë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë. Për këtë zgjidhje kemi punuar ditë e javë me Bashkimi Evropian”, ka thënë Petkoviq, duke lavdëruar angazhimin e përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Ai ka thënë se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me serbët në terren dhe me punonjësit e institucioneve serbe, rektorët, dekanët, drejtorët e spitaleve dhe përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, “sepse kjo çështje nuk është thjesht administrative ose teknike, por mbi të gjitha një pyetje e mbijetesës së serbëve në Kosovë”.

“E shmangëm skenarin më të keq të mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë, sepse ky ishte qëllimi kryesor i zbatimit të Ligjit për të Huajt, të cilin Albin Kurti vendosi ta zbatojë pas 13 vjetësh. Ne ndaluam mbylljen e institucioneve tona, që populli ynë të mund të vazhdojë të studiojë, të mësojë, të marrë trajtim shëndetësor dhe të shkojë në punë. Kemi shpëtuar QKUK-në në Mitrovicë, qendrat shëndetësore në Graçanicë dhe Pasjan, të gjitha qendrat shëndetësore, institucionet arsimore, një universitet me dhjetë fakultete dhe një akademi”, u shpreh Petkoviq.

Ai theksoi se ky është lajm shumë i mirë dhe i rëndësishëm për serbët në Kosovë.

“Serbët mund të marrin frymë lirshëm. E hëna do të jetë një ditë pune normale”, theksoi ai.

Petkoviqi gjithashtu sqaroi se zgjidhja parashikon që 10 kryetarë komunash serbe të përpilojnë një listë të punonjësve në të gjitha institucionet arsimore dhe shëndetësore, përfshirë universitetin dhe studentët, bazuar në të cilat do të lëshohen lejet e punës dhe të qëndrimit për serbët e punësuar në këto institucione.

Lejet e përkohshme për këto kategori do të lëshohen për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, siç ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai shtoi se në këto lista do të përfshihen vetëm të dhëna personale, që do të thotë se nuk ka asnjë rrezik për sigurinë e serbëve, pasi Policia e Kosovës tashmë i ka të gjitha këto të dhëna.

Ligji për të Huajt, Kallas: Moment i ri për dialogun, jam gati të organizoj takim të nivelit të lartë

1 o. më parë / 14 mar 2026 11:11
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka quajtur hap të rëndësishëm marrëveshjen për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt në Kosovë, duke theksuar se ky përparim shënon moment të ri në dialogun Kosovë-Serbi. 

Kallas ka thënë se është e gatshme të organizojë takim të nivelit të lartë së shpejti. 

“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur. Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një momentum të ri për Dialogun Beograd-Prishtinë, dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar ajo në X. 
 

Ambasadorët e vlerësojnë të rëndësishëm zbatimin e Ligjit për të Huajt

2 o. më parë / 14 mar 2026 10:37
QUINT

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës e kanë vlerësuar të rëndësishëm zbatimin e Ligjit për të Huajt.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar se ky përparim është kyç. 

"Është mirë të shohësh një marrëveshje se si të zbatohen Ligjet e Kosovës për të Huajt dhe Automjetet. Sigurimi i lejeve të qëndrimit dhe punës për punëtorët dhe studentët, shmangia e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore dhe zgjidhjet praktike për lëshimin e dokumenteve për të gjithë qytetarët e Kosovës kanë rëndësi. Ndërtimi mbi këtë përparim do të jetë thelbësor", ka shkruar Rudolph. 

Edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, i ka mirëpritur zhvillimet rreth Ligjit për të Huajt, duke thënë se veprimet nuk kanë ndikim negativ për jetën e serbëve të Kosovës. 

“E mirëpres njoftimin e përbashkët nga Sorensen, Orav dhe kryeministri Kurti. Vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimit Evropian”, ka shkruar Guerot në një postim në X.

Qeveria e Kosovës është pajtuar të ofrojë lehtësira të përkohshme për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela (nesër).

Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.
 

Kurti: Qeveria do t’u ofrojë leje qëndrimi për 12 muaj studentëve dhe punëtorëve serbë

3 o. më parë / 14 mar 2026 09:27
kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se procesi i zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe për Automjete do të bëhet në koordinim me emisarin special të BE-së, Peter Sorensen. 

Ai ka sqaruar se Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë të komunave me shumicë serbe me listat e stafit shëndetësore dhe akademik që janë të angazhuar në Kosovë dhe më pas Ministria e Punëve të Brendshme do t’i pajisë me lejet e përkohshme. 

Kurti ka theksuar nuk është në interesin e Kosovës që zbatimi i Ligjit të mos prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve, por se qëndrimi i Kosovës është që në Kosovë “nuk mund të ketë mekanizma ilegalë”. 

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, ka thënë ai. 

Kurti ka bërë të ditur se do të hapet një dritare e re tremujore për t'iu mundësuar qytetarëve serbë që kanë dokumente të strukturave ilegale të regjistrohen në Regjistrin Civil të Kosovës.

“Qeveria poashtu do të hap një dritare të re tremujore për të mundësuar qytetarëve të nacionalitetit serb të regjistrojnë faktet civile të cilat deri me datën 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë, aplikantëve do i lejohet edhe përdorimi, ekskluzivisht si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerr udhëzime të detajizuara që mundësojnë regjistrimin e këtyre fakteve brenda Sistemit Qendror të Regjistrit Civil të Republikës ë Kosovës“.

Kosova pajtohet për lehtësira të përkohshme për serbët në Ligjin për të Huajt

3 o. më parë / 14 mar 2026 09:11
bas

Qeveria e Kosovës është pajtuar të ofrojë lehtësira të përkohshme për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela (nesër), ka konfirmuar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë një takimi që e patën të shtunën paradite në Prishtinë.

Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.

Ligjet për të huajt parasheh që të gjithë personat që nuk posedojnë dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë për më shumë se tre muaj, përveç nëse kanë autorizim përkatës.

Megjithatë, pas takimit të së shtunës është vendosur që këto rregulla të mos zbatohen menjëherë për serbët e Kosovës pa dokumente kosovare. Ata do të kenë mundësi të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj, si dhe të përdorin si dokument identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga struktura paralele në vend.

Në një konferencë për shtyp të shtunën pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, Sorenseni ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e Ligjit dhe përpjekjet për integrimin e komuniteteve në përputhje me marrëveshjet me BE-në.

Por Sorenseni ka theksuar se procesi i ndryshimeve ligjore kërkon kohë, por ka përshëndetur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe zotimin e kryeministrit Kurti për zbatimin e ligjeve, pa ndërprerë funksionimin e shërbimeve bazë (arsimi, shëndetësia) për komunitetin serb. 

“Prioritet kyç i Qeverisë është sigurimi i lejeve për punëtorë dhe studentë për periudhë fillestare 12 muaj, për të mos penguar ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore... qeveria duhet t’i regjistrojë individët në harmoni me ligjin e Kosovës”, ka thënë Sorensen.

Ai gjithashtu ka theksuar rëndësinë e konsultimeve me përfaqësuesit e komunitetit serb për të siguruar pajtimin e tyre dhe zbatimin e një procesi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

Ligji për të huajt dhe ai për automjetet pritet të nisë së zbatuari nga nesër, pasi u shty dy herë.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

Ligji i prek më së shumti shtetasit e Shqipërisë dhe të Serbisë. Një sektor i prekur janë punonjësit dhe studentët e Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Sa i përket zbatimit të Ligjit për automjetet, heqja e targave serbe më 2022-2023, disa prej tyre i riregjistruan me targa të qyteteve të Serbisë dhe i vozisin në Kosovë me autorizime. Në autorizime gjenden letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës, që Kosova zyrtare nuk i njeh.

Serbia e ka kritikuar zbatimin e këtyre ligjeve. Zyrtarë serbë kanë pretenduar se zbatimi rrezikon largimin e komunitetit serb nga Kosova.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

E subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar për të shtunën protestë nga Rashka në Jarinjë me sloganin: “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.

“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars.

Ligji për të huajt sjell Sorensenin në Prishtinë

5 o. më parë / 14 mar 2026 08:00
Albin Kurti

Afrimi i 16 marsit, si datë e caktuar për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe atij për Automjete, do ta sjellë të shtunën (sot) në Kosovë emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Zyra e kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar se ai do ta presë Sorensenin në Prishtinë në orën 08:30. Përderisa komunikata njoftuese nuk dha detaje për vizitën e emisarit danez, burimet diplomatike evropiane kanë thënë se arsyeja e vizitës është afat i zbatimit të Ligjit për të huajt.

Pas takimit pritet të ketë edhe deklarim për media.

16 marsi është data kur pritet që ky ligj të nisë së zbatuari, pas disa muajsh të fushatës informuese për procedurat dhe rregullat e zbatimit të këtyre ligjeve.

Ligji për të huajt parasheh që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

Ligji i prek më së shumti shtetasit e Shqipërisë dhe të Serbisë. Një sektor i prekur janë punonjësit dhe studentët e Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Sa i përket zbatimit të Ligjit për automjetet, heqja e targave serbe më 2022-2023, disa prej tyre i riregjistruan me targa të qyteteve të Serbisë dhe i vozisin në Kosovë me autorizime. Në autorizime gjenden letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe për qytetet e Kosovës, që Kosova zyrtare nuk i njeh.

Serbia e ka kritikuar zbatimin e këtyre ligjeve. Zyrtarë serbë kanë pretenduar se zbatimi rrezikon largimin e komunitetit serb nga Kosova.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

E subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar për të shtunën protestë nga Rashka në Jarinjë me sloganin: “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.

“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie. Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars.