Komuna e Lipjanit gjatë këtyre ditëve ka nisur aktivitetet për shënimin e përvjetorit të 15-të të Pavarësisë së Kosovës.
Ky përvjetor sipas zyrtarëve komunal po festohet me një varg aktivitetesh kulturore e artistike.
Në kuadër të aktiviteteve pranë objektit të Komunës dhe në sheshin “Adem Jashari”, janë vendosur mbishkrime “KOSOVA 15” me qëllim të mobilizimit për festën e Pavarësisë së Kosovës. Përveç kësaj janë zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme kulturore e artistike.
“I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari Imri Ahmeti me bashkëpunëtorë. Shfaqja teatrale për fëmijë “Rrëfimi nga Xhungla”, ishte aktiviteti i radhës të cilat po zhvillohen nën patronatin e Kryetarit të Komunës për nder të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ndërsa në orët e pasdites në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani”, në Lipjan nxënësit e shkollave fillore kanë paraqitur një program festiv”, thuhet midis të tjerash në një njoftim të Komunës.
Ndërkohë, edhe nënkryetari i Komunës Diamant Bytyqi, ka marrë pjesë në një varg aktivitetesh me të rinjtë e komunës së Lipjanit.
“Në kuadër të kësaj gare, 10 të rinj nga fshatra të ndryshme të Komunës së Lipjanit garuan me kreativitetin e tyre për të shfaqur ndikimin e ushqimit në shëndet dhe rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm. Aktiviteti i sotëm është realizua në bashkëpunim me Organizatën Jo Qeveritare “Vizioni Rinor i Shalës””, thuhet më tej në njoftimin e Komunës.
Po ashtu drejtuesit e kësaj komune kanë realizuar edhe aktivitete të tjera me aktivistët e organizatës joqeveritare “YAHR” me temën “Pjesëmarrja e rinisë në procese vendimmarrëse”. “Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi, njëherësh panelist i kësaj tryeze tha se të rinjtë tanë janë promotori kryesor i zhvillimit të shtetit tonë, andaj ka inkurajuar të rinjtë që të jenë sa më aktiv në iniciativat e ndryshme që ndikojnë drejtpërdrejtë në të mirën e tyre”, citohet të ketë thënë Bytyqi, përcjellë zyra për informim në Komunën e Lipjanit.
Sipas kësaj komune vazhdimisht po mbështeten iniciativat e të rinjve për realizimin e aktiviteteve të ndryshme rinore, ndarja e bursave për student e të tjera.