Platforma “Liria ka Emër” ka njoftuar organizimin e një marshi me motoçikleta drejt Hagës, i cili ka nisur nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz në orën 08:00.
Organizatorët e këtij marshi kanë njoftuar se në Hagë do të bëhet thirrje për drejtësi dhe që procesi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së të kryhet sa më shpejt dhe drejt.
“Uroj që gjithçka të shkojë mirë sepse është rrugë e madhe, ka sfida. Do ta bëjmë vetëm një thirrje për drejtësi dhe që sa më shpejt procesi të kryhet drejt. Nuk duam as të ndikojmë në drejtësi, por kjo drejtësi nuk po monitorohet. Kjo le të jetë thirrje edhe për ndërkombëtarët, por edhe për njerëzit e qeverisë dhe të gjithë ata që mendojnë se drejtësia është vlera kryesore”, ka thënë Nasim Haradinaj.
Ai tutje ka treguar se rruga do të nisë nga Prekazi e do të vizitohen disa fshatra të tjera ku janë kryer masakra gjatë luftës në Kosovë, për të vazhduar më pas drejt Hagës.
“Udhëtimi ynë do të fillojë prej këtu në Gllogjan, Koshare, në Mejë, në Landovicë e më pas kthehet rruga për në Morinë dhe Durrës ku është trageti dhe në Ankonë. Nga aty në Cyrih ku do të mbledhim edhe motoristë të tjerë. Nga Cyrihu do të ndalemi në Duseldorf ku do të qëndrojmë një natë aty dhe në mëngjes do të shkojmë në Hagë, Hagë-Bruksel dhe anasjelltas. Organet e tyre janë të lajmëruara”, ka thënë ai.
Ndërsa bashkëorganizatori Ismail Tasholli, ka thënë se ky marsh është simbolik me anë të së cilit do të kërkohet që drejtësia të jetë transparente.
“Është marsh simbolik siç e kemi paralajmëruar, është thirrje për drejtësi. Qëllimi është që të arrijmë deri në Hagë, atje ta bëjmë një parakalim të karvanit të motoristëve dhe pastaj të vazhdojmë me kërkesën e përgatitur që drejtësia të jetë transparente”, ka thënë ai.