Përfaqësues të partive politike nuk kanë dhënë sinjale se në tentativën e dhjetë do t’i japin fund bllokadës së krijuar në procesin e konstituimit të legjislaturës së re. Të dyja kampet politike kanë përsëritur qëndrimet edhe për kandidaturën e kryeparlamentarit e edhe për formën e votimit
Me qëndrime tashmë të palëkundura, deputetët kanë paralajmëruar se do të paraqiten të shtunën sallën e Kuvendit për vazhdimin e ri të seancës konstituive, e cila është bllokuar në pikën për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) nuk kanë dhënë sinjale se do ta ndryshojnë emrin e kandidatit, përderisa në vazhdimin e nëntë të seancës të mërkurës, kjo parti ka propozuar ndryshimin e mënyrës së votimit - nga i hapur në të mbyllur.
Por ky propozim është kundërshtuar nga partitë që në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili të premten ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve përkitazi me veprimet e ndërmarra në funksion të konstituimit të legjislaturës së re.
E deputetë të Partisë Demokratike (PDK) dhe ata të Lidhjes Demokratike (LDK) e kanë përsëritur qëndrimin se votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur dhe se nuk do të votojnë pro kandidaturës së Albulena Haxhiut.
“Nuk mund që për ego të një personi të përveçëm Kosova të bllokohet tash e sa kohë. Republika e Kosovës është më e madhe se emri i Albulena Haxhiut, se emri i Kurtit dhe secilit qytetarë në këtë vend. Prandaj, do të jemi nesër në seancë, qëndrimet tona janë publike, do të veprojmë në formën e njëjtë, nuk do të mbështesim kandidaturën e Haxhiut. Dhe do të kërkojmë që një gjë e tillë të bëhet në bashkëpunim dhe marrëveshje me partitë politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të dalë nga ky ngërç, që ka një emër. Është ngërç i krijuar nga koalicioni LVV, Alternativa dhe Lista Guxo. Kemi ofruar gatishmërinë tonë për të provuar të ulemi e të ofrojmë zgjidhje si të dalim nga kjo situatë, fatkeqësisht ka mungesë të vullnetit politik nga Albin Kurti dhe koalicioni i tij për të nxjerrë Kosovën nga situata që gjendemi sot”, ka thënë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tek ka folur të premten në një konferencë për media.
Ajo ka elaboruar edhe mbi propozimin e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili është deputeti më i moshuar në Kuvend dhe është nga radhët e LVV-së, që votimi i kryetarit të bëhet me votim të fshehtë. Sipas saj, këtë praktikë të devijimit të procedurave nuk e ka parë në asnjë shtet demokratik dhe ka paralajmëruar se një veprim i tillë mund të prodhojë pasoja të rrezikshme për demokracinë e Kosovës.
“Nuk mund që me arbitraritet të theksuar një subjekt politik të provojë të instalojë diktat, e para të imponojë një kandidat që nuk merr besimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, e dyta të shkel procedurat, një proces që ka filluar tash e sa kohë, që është procesi i votimit për të zgjedhur kryekuvendarin, të provojë që të ndikojë në procedurat e brendshme të Kuvendit e të ndryshojë formën e votimit. Kjo nuk ndodh në asnjë shtet demokratik, nuk ka ndodhur asnjëherë, dhe është precedent i rrezikshëm për mënyrën se si këta e shohin shtetin”, ka shtuar ajo.
Armend Zemaj, deputeti i LDK-së, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje është duke përdorur strategji abuzive nëpërmjet kryesuesit Dehari për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja.
“Kjo nuk është vetëm keqpërdorim i individit, sepse në fund të fundit është pranueshmëri e tij e sjelljes politike dhe personale. Por, ky është abuzim me të drejtën e moshës ku e përcakton rregullorja e punës së kuvendit që deputeti më i vjetër, i përkrahur nga deputeti më i ri, duhet ta udhëheqë seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Andaj, kjo është abuzim me pozitën që i ka dhënë rregullorja e punës së kuvendit. Kjo sjellje është e papranueshme dhe në fund të fundit edhe denigrim i personalitetit të individit. Por, edhe strategji abuzive që po e përdorë Lëvizja Vetëvendosje për të parandaluar ose për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk është mbyll as të enjten. Ndryshe prej seancave paraprake, gjatë saj LVV-ja nuk e ka propozuar direkt Haxhiun për kryeparlamentare, por nëpërmjet kryesuesit të seancës ka kërkuar që votimi për të të bëhet në mënyrë të fshehtë.
Partitë deri tash në opozitë nuk e kanë pranuar këtë opsion, duke bërë që të mos i marrë votat e mjaftueshme Komisioni për mbikëqyrje të kësaj procedure.
E pas përmbylljes së seancës të së enjtes, propozimi i LVV-së për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë është vlerësuar antikushtetues nga përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë. Ata, gjatë adresimeve nga holli i Kuvendit, e kanë quajtur arbitrare mënyrën se si kjo parti ka synuar që ta vërë në aplikim këtë formë votimi.
Zhbllokimit të situatës nuk i ka shërbyer as takimi konsultativ, i cili është mbajtur para seancës mes liderit të LVV-së, Kurti, dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi.
Vazhdimi i radhës i seancës konstituive do të mbahet më 3 maj, në orën 10:00. Deri tash, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryekuvendare ka dështuar në gjashtë votime.