Arbëri

Maqedonci: Kosova është në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në në aspektin e mbrojtjes

Ejup Maqedonci

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë besuar Kosovës që të jetë pjesë e ushtrimeve dhe njëherit nikoqire e “Defender Europe 25”.

Maqedonci ka deklaruar të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se Kosova aktualisht është në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në në aspektin e mbrojtjes.

“Janë 25.000 trupa ushtarake nga 29 vende të NATO-s, e në zonën ku merr pjesë edhe Kosova do të jenë 12.000 trupa që do të jenë nga 19 vende të NATO-s dhe vende partnere. Kjo është arritje jashtëzakonshme për vendin tonë, pasi jemi pjesë e ushtrimit, vend nikoqir mes 18 shteteve. Veçantia e kësaj është që SHBA-ja ka besuar në Republikën e Kosovës që të jetë nikoqire edhe e komandës që do t’i drejtojë të gjitha ushtrimet dhe aktivitetet në rajonin e Ballkanit”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai ka shtuar tutje se përgatitjet për këtë ushtrim masiv ushtarak janë bërë tash e një vit.

“...Besoj se tani jemi në pikën më të lartë të bashkëpunimit me SHBA-në, në aspektin e mbrojtjes. Pika më e lartë që vendi ynë ka pasur me SHBA-në...”, u shpreh Maqedonci.

Ministri në detyrë ka theksuar se ndërveprueshmëria do të jetë objektivi kyç i Forcës së Sigurisë së Kosovës në këto stërvitje shumëkombëshe.


Maqedonci: Paqja në Ballkanin Perëndimor, e cenueshme - Serbia promovon politika hegjemoniste

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Ballkani Perëndimor mbetet i kërcënuar derisa Serbia në Kushtetutë ende e mban Kosovën si pjesë të saj.

Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se kërcënimi është aktual derisa autoritetet në Serbi ende e promovojnë popullin serb si popull qiellor, derisa shtoi se Kosova duhet të jetë e brengosur, por assesi e frikësuar.

“Serbia vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë dhe vendet që zhvillojnë politika autokratike. Ne i shohim prezentë edhe nga Serbia, duke pasur parasysh se Serbia po vazhdon që Kosovën ta mbajë në Kushtetutë si pjesë të territorit. Përderisa ajo promovon politikë hegjemoniste, ministri i Jashtëm serb, promovon se populli serb është qiellor, atëherë paqja në Ballkanin Perëndimor do të jetë e cenueshme. Mosndërrimi politik në Serbi është kërcënim në vete, e duhet brengosemi të gjithë, por assesi të frikësohemi”, ka thënë Maqedonci.

Ministri në detyrë ka shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon ta respektojë zotimin e 2013-s se s’do të përfshihet në komunat veriore pa koordinim paraprak me KFOR-in, ndonëse shtoi se nuk pajtohet me këtë zotim.

“Ajo letër e ka kufizuar veprimin e FSK-së na katër komunat veriore. E kemi thënë disa herë që pavarësisht se nuk pajtohemi, do të vazhdojmë të respektojmë pasi është zotim i institucioneve tona me NATO-n”, ka thënë Maqedonci.

Maqedonci ka deklaruar se ushtria e Kosovës nuk fuqizohet që të ballafaqohet me një armik të caktuar, por “përgatitet që të jetë e gatshme të ballafaqohet me çdo kërcenim nga kushdo që vjen”.


Maqedonci thotë se në këtë fazë s’mund të bëhet i detyrueshëm shërbimi ushtarak

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se aktualisht Kosova s’e ka komoditetin që ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, por tha se secili qytetarë do të ketë mundësinë të bëhet pjesë e sistemit të mbrojtjes. Ai ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës do të përgatitet për trajnimin e vullnetarëve të rinj.

“Çdo qytetar do të ketë mundësinë që të bëjë pjesë në sistemin e mbrojtjes. Ushtria jonë do të përgatitet për trajnimin e këtyre vullnetarëve. Do të bëjmë shumë zhvillime...Nuk e kemi komoditetin që në këtë fazë ta bëjmë të detyrueshme shërbimin, por kemi mundësi të angazhojmë çdo qytetar në sistemin tonë të mbrojtjes dhe të inkurajojmë që çdo të ri të jetë pjesë e sistemit tonë të mbrojtjes”, ka thënë Maqedonci.

Duke folur për blerje të armatimit, Maqedonci ka thënë se Kosova e ka thelluar blerjen me Britaninë e Madhe. Ai ka thënë se marrëveshjet janë përditësuar edhe me Italinë, derisa përmendi edhe marrëveshjen kornizë të nënshkruar me Turqinë.

“E vërteta është se po bëjmë hapa, veprime të vazhdueshme për të përafruar vendin tonë në NATO. Vazhdojmë të jemi këmbëngulës për pjesëmarrje në shumë iniciativa regjionale...Jemi duke bashkërenduar me NATO-n. Kemi dëshmuar se duke qenë pjesë e një vendi aktiv në Grupin e Kontaktit për mbrojtjen e Ukrainës, mund të bashkërendojmë me NATO-n”, ka thënë Maqedonci.