Arbëri

Dëshmitari: Krasniqi e dinte për ndalesën e ZRRE-së për tregtim të energjisë me operatorë pa licencë

Nagip Krasniqi

Foto: Driton Paçarada

(Tekst i përditësuar) - Dëshmitari Granit Beqiraj, në rastin ku Prokuroria Speciale e akuzon ish-kryeshefin e Koorporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në favor të kompanisë sllovene “HSE”, ka shprehur besimin që Krasniqi ishte i njoftuar me ndalesën e ZRRE-së për të tregtuar energji me operator të palicencuar. 

Beqiraj në seancën e mbajtur të martën ka thënë po ashtu se rryma nga HSE-ja në bazë të kontratës del se është blerë nga KEK-u në kufirin Kosovë-Mali i Zi.

Në aktakuzën e ngritur në gusht të 2024-ës, Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia mundësoi kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm shtetit prej rreth 3.2 milionë eurosh.

Aktakuza e ngarkon Krasniqin se pak ditë pasi që e ka marrë detyrën e kryeshefit të KEK-ut, ia ka mundësuar kompanisë “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e rrymës në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe atë për Zyrën e Rregullatorit.

Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Më 3 korrik 2025, para Gjykatës Themelore në Prishtinë, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në nisje të gjykimit për aktakuzën e parë ndaj tij.

Ndaj Nagip Krasniqit ka edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në aktakuzën e re, përveç ish-kryeshefit të KEK-ut, janë të përfshirë edhe ish-shefi i prokurimit në këtë korporatë, Ymer Dragusha, dhe avokati, Isuf Zejna.


Beqiraj: Për kontrata EFET të tregtimit me rrymë janë valide edhe licencat jashtë Kosovës


Eksperti i bilanceve të energjisë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Granit Beqiraj, ka dëshmuar të martën lidhur me kushtet që kompanitë duhet t’i përmbushin për të bërë shitblerje të rrymës me KEK-un, në gjykimin e ish-kryeshefit të kësaj korporate, Nagip Krasniqi, i cili është i akuzuar për korrupsion, 
Në këtë rast gjyqësor, Prokuroria pretendon se Krasniqi i ka shkaktuar dëm prej 3.2 milionë eurosh shtetit, pasi që ka vendosur të bëjë tregtim të rrymës me kompaninë sllovene HSE, e cila është e palicencuar pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Dëshmitari Beqiraj ka thënë se në rastin e kontratave kornizë për tregtim, të njohura si EFET (European Federation of Energy Traders), kompanive u kryejnë punë edhe licencat e lëshuara nga shtetet me të cilat Kosova ka reciprocitet, si Shqipëria dhe vendet e Bashkimit Evropian (BE).
“Nëse një x kompani ka qenë nga Shqipëria dhe e ka sjellë një licencë tek ne dhe në atë shkruan edhe data e validitetit të asaj licence. Në qoftë se një x operator, i është afruar data e skadimit të licencës... Si KEK me operatorët që kemi kontratë të nënshkruar EFET dhe janë pjesëmarrës në ankande ato kanë një licencë të tregtimit të energjisë qoftë prej nga vendit prej nga vijnë”, ka thënë Beqiraj. 
Dëshmitari ka thënë që para se ZRRE-ja të çonte shkresë me të cilën ka treguar se nuk lejohet tregtimi me kompani që nuk janë të licenuara pranë këtij rregullatori, kanë vlejtur kriteret si garancioni bankar dhe marrëveshja e qasjes në KOSTT.  
“Në rastet e shitjes së energjisë nga KEK, palët kanë pasur obligim të sjellin garancinë bankare, si kesh depozitë, në mënyrë që të marrin pjesë në ankandet ditore të shitjes. Kur kemi pasur raste të blerjes, kjo nuk kërkohet nga KEK. I bie që Korporata ka tregtuar me operatorë që kanë pasur garancinë bankar valid”, ka theksuar Beqiraj. 
Dëshmitari ka shtuar se rryma është blerë nëpërmjet kufirit me Malin e Zi. 
“Sipas kësaj EFET kontrate ditore shihet se kompania HSE ka qenë shitës, në këtë rast Koorporata Energjetike – blerës, ndërsa energjinë e ka sjellë përmes kufirit energjetik Mali i Zi-Kosovë”, ka thënë ai. 
Mbrojtja në këtë rast gjyqësor pretendon se shitblerja e rrymës është bërë në kufi dhe se kjo është një nga arsyet përse kompania shtetërore sllovene HSE nuk është dashur që të pajiset me licencë në ZRRE. 
I pyetur nga mbrojtja lidhur me deklaratën dhënë në prokurori se me çfarë baze ka thënë se ka folur për dëm ndaj shtetit, Beqiraj ka theksuar se është bazuar vetëm te ajo që shteti do të mblidhte më shumë tatime po qe se ndërmarrja sllovene do të jetë e licencuar në Kosovë. 
E tek u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë, ai ka thënë se ish-kryeshefi Krasniqi ka qenë në dijeni për shkresën njoftuese të ZRRE-së mbi ndalimin e tregtimit të rrymës me kompani të palicencuara. 
Aktakuza e ngarkon Krasniqin se pak ditë pasi që e ka marrë detyrën e kryeshefit të KEK-ut, ia ka mundësuar kompanisë “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e rrymës në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe atë për Zyrën e Rregullatorit. Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga ZRRE-ja.
Më 3 korrik të 2025-tës, para Gjykatës Themelore në Prishtinë Krasniqi është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në nisje të gjykimit për aktakuzën e parë ndaj tij.
Ndaj Krasniqit ka edhe një aktakuzë tjetër për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në aktakuzën për këtë rast, krahas tij janë të përfshirë edhe ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, dhe avokati, Isuf Zejna.