Ani se kompanitë e gurthyesve obligohen me ligj ta rehabilitojnë zonën ku zhvillojnë aktivitetin, shumë prej tyre nuk e kanë respektuar këtë, duke shkaktuar dëme të mëdha mjedisore. Banorë e njohës të çështjeve të mjedisit kritikojnë autoritetet për mungesë të mbikëqyrjes dhe dështim të marrjes së masave ndaj operatorëve
Plagët e ndërhyrjes së njeriut në tokë shihen në shumë lokacione, që dikur ishin të pyllëzuara ose pjesë e lumenjve të pastër. Gjurmët e aktivitetit të gurëthyesve në bjeshkë, dhe të nxjerrjes së rërës nga shtretër të lumenjve, shihen gjithandej.
Ani se ligji i obligon operatorët të përgatisin program për shfrytëzim dhe rehabilitim të zonës, shumë prej tyre nuk e respektojnë atë, duke shkaktuar dëme të pariparueshme mjedisore. Të dhënat zyrtare flasin për rreth 13 mijë hektarë të degraduar nga aktivitetet gurore, e mbi 1 mijë e 400 hektarë në lumenj e zona përreth.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAhmet Govori është banor i fshatit Stanishor të Novobërdës në të cilin operojnë rreth 10 gurthyes. Ai thotë se vendi ku është gërmuar nga gurthyesit po mbushet me mbeturina.
“Unë shoh kamionë me bërllok që çojnë përpjetë në atë vendin që duhet me rehabilitu me gjelbërim, këta qesin edhe bërllok, çka ka një të keqe e bien këtu. Kjo zonë nuk është e menaxhuar as nga Policia, përkundër përpjekjeve që po bëjnë, as nga Ministria, as prej Komunës. Është si zonë neutrale. Vazhdon e pambikëqyrur nga askush”, ka thënë Govori.
Problemet me mosrehabilitim të vendit ku janë nxjerrë gurët i thekson edhe raporti i një grupi punues për eksploatuesit e gurit, zhavorrit, gurthyesve dhe seperacioneve, që ishte themeluar më 2021 nga Ministria e Mjedisit.
Ani se aty është konstatuar se kompanitë pas përfundimit të punimeve nuk e rindërtojnë vendin ku janë nxjerrë gurët, dhe i lënë gropat e hapura, deri tani nuk është marrë asnjë veprim.
“Fatkeqësisht ne i kemi cekur zonat që duhet të rivitalizohen, por ato nuk janë bërë, edhe aty ku është bërë rivitalizimi nuk është bërë në përputhje me atë që janë pajisur me pëlqim dhe leje mjedisore. Meqë ata më së shumti nuk kanë pasur bord apo kanë refuzuar mbikëqyrjen adekuate të veprimtarisë e kemi këtë gjendje”, ka thënë Ali Sefaj, anëtar i grupit punues.
E në Ministrinë e Mjedisit kanë thënë për KOHËN se është rehabilituar zona e Suharekës në Dobërdolan, ku punimet janë ndërprerë në përputhje me dispozitat ligjore.
“Edhe në zona të tjera në Istog janë shqiptuar gjoba ndaj operatorëve ekonomikë - gurëthyesve, pas evidentimit të parregullsive. Inspektimet zhvillohen sipas planit të inspektimit, por edhe në bazë të kërkesave dhe ankesave të qytetarëve. Në të gjitha rastet ku janë konstatuar shkelje, janë ndërmarrë masa dhe janë shqiptuar gjoba në përputhje me bazën ligjore”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit.
Në Ministri kanë thënë se KPMM-ja merr garanci financiare për çdo licencë për shfrytëzimin e resurseve minerare si dhe formon komision për parandalimin e punëve, procesin e mbylljes dhe rehabilitimin e tyre.
KOHA ka kërkuar prej ditësh nga ky komision informata për licencimin e gurthyesve, monitorimin e veprimtarisë së tyre dhe masave të ndërmarra ndaj kompanive për shkelje, por nuk ka marrë përgjigje.
E ditë më parë, Ministria e Mjedisit ka filluar procesin e verifikimit të pajtueshmërisë ligjore, teknike e mjedisore për operatorët e gurthyesve, duke theksuar se çdo shfrytëzim i pasurive natyrore do të bëhet në përputhje me ligjin.
Por, sipas Sefajt, problemi është te monitorimi në terren, e jo te verifikimi i dokumenteve, të cilat siç thotë, janë lëshuar në përputhje me kriteret.