Me PDK-në në pushtet, asnjë qytet nuk do ta vuajë mungesën e energjisë elektrike, ka thënë kryetari dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza.
Ai të shtunën në një konferencë për media, ka kritikuar Qeverinë Kurti se e ka futur vendin në krizë të thellë energjetike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kosova është në krizë ekonomike, sociale, politike dhe në krizë shprese. Dhe përgjegjësia është e qartë: Qeveria Kurti. Sot nuk kemi rrymë, por ne jemi këtu pikërisht për të folur për rrymën dhe për investimet infrastrukturore që i mungojnë vendit tash e gjashtë vjet”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, me PDK-në në pushtet, qytetarët do të kenë çmime më të përballueshme të energjisë dhe një shtet që planifikon për të ardhmen.
“Krizave do t’u themi STOP së bashku. Dhe së bashku do ta ndryshojmë edhe Kosovën. Ju zotohem se me qeverinë që do ta udhëheq unë, ditë si kjo nuk do të përsëriten më. Nuk do të ketë më qytete pa rrymë dhe as dështime që e paralizojnë jetën e qytetarëve. Shteti do të funksionojë me plan, me përgjegjësi dhe me rezultate konkrete, jo me improvizim dhe justifikime”, është shprehur Hamza.
Gjatë konferencës, Hamza ka prezantuar edhe pikën e dytë të programit të tij qeverisës, që ka të bëjë me investimet në energji, infrastrukturë moderne dhe teknologji të reja.
“Energjia, siç e dini, është baza mbi të cilën ndërtohet çdo ekonomi moderne. Pa furnizim të sigurt, të përballueshëm dhe të qëndrueshëm me energji, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka vende pune dhe nuk mund të ketë as mirëqenie për familjet. Prandaj, energjia do të jetë prioritet kombëtar i qeverisë sonë. Ne do ta heqim TVSH-në për energjinë elektrike, sepse energjia elektrike është nevojë bazike, jo e mirë luksi. Heqja e TVSH-së do t’i ulë menjëherë faturat e energjisë, do ta rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe do të kontribuojë në stabilitetin social”, është zotuar Hamza.
Programi i PDK-së, sipas tij, parasheh modernizimin e Termocentralit “Kosova B”, ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet rreth 500 MW, sisteme të ngrohjes qendrore në së paku pesë qytete të Kosovës, investime në energjinë diellore, zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe realizimin e lidhjes energjetike Kosovë–Shqipëri.
Gjatë së shtunës, Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubime edhe në Lipjan, Shtime dhe Suharekë.