(Lajm i përditësuar) - Kryesia e Kuvendit ka caktuar seancë plenare për ditën e premte.
Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka njoftuar për seancën pas mbledhjes së kryesisë, por nuk ka bërë të ditur orën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë kuadër të pikës kryesore të rendit të ditës, është diskutuar propozimi për rendin e ditës së seancës plenare, e cila pritet të përfshijë disa pika të rëndësishme legjislative dhe politike.
Seanca plenare, sipas propozimit, do të nisë me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, për të vazhduar me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, raportoi EO.
Në vijim, deputetët pritet të shqyrtojnë dhe votojnë disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të kredisë, përfshirë ato me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, Agjencinë Franceze për Zhvillim dhe KfW, që lidhen me zhvillimin e sektorit financiar, energjinë, klimën si dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, në rend dite është paraparë votimi i një propozim-rezolute lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë dhe ndikimin e saj në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik në vend.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe zgjedhjen e një anëtari joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe një propozim-rezolutë për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999.
PDK: Për keqardhje rezistenca e VV-së që rezoluta të trajtohet si pikë e parë në seancë
Deputetja e PDK-së Vlora Çitaku ka thënë se sot ka ndodhur diçka e paprecedent në mbledhjen e Kryesisë, duke deklaruar se nuk kanë arritur të dakordohen për pikat e rendit të ditës.
Derisa ka folur për rezolutën e propozuar për mbrojtjen e viktimave të luftës, ajo ka thënë se kjo çështje nuk ka qenë politike asnjëherë për ta.
Ajo ka thënë se kërkesë ka qenë nga PDK-ja që rezoluta të jetë pikë e parë e rendit të ditës, por shton se hasën në rezistencë nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kujtesë nuk është vetëm e kaluara, kujtesa është identitet, kujtesa është themeli mbi të cilin ndërtohen institucionet dhe shteti. Pati një rezistencë për mua të paarsyeshme edhe të pashpjegueshme nga anëtarët e Vetëvendosjes. PDK e ka bërë të qartë që marrëveshjet ndërkombëtare i voton, këto s’janë marrëveshje të një partie”, ka thënë ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, e ka quajtur veprim për keqardhje kundërshtimin e Vetëvendosjes që rezoluta të mos trajtohet si pikë e parë e rendit të ditës.
Ka shtuar se megjithëse është teknike renditja e kësaj pike, thekson se është simbol dhe mesazh i vullnetit të të gjithëve.
Nagavci: Do t’i intensifikojmë veprimet për zgjedhjen e presidentit brenda afatit të Kushtetueses
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë, se kryeministri Albin Kurti ka pasur takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke shtuar se është duke vazhduar angazhimin maksimal për çështjen e presidentit.
Ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve do të intensifikohen veprimet për zgjedhjen e presidentit brenda afatit të cilin e ka dhënë Gjykata Kushtetuese.
“Besoj që gjatë këtyre ditëve do t’i intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe që presidenti të votohet brenda afatit të Kushtetueses, sepse jemi të bindur që vendit i duhet një president i zgjedhur në Kuvend, sepse zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër dhe janë të panevojshme”, ka thënë tutje ajo.
Nagavci është shprehur e bindur që Kurti do të “bëjë gjithçka që t’i shmang zgjedhjet”.
Sa i përket rezolutës së propozuar nga PDK-ja për mbrojtjen e viktimave të luftës, ka thënë se që nga dita e parë kanë qenë të gatshëm të kontribuojnë në një tekst të rezolutës, i cili sipas saj, i bën nder Kuvendit dhe paraqet unitet të partive shqiptare në Kosovë dhe komuniteteve joserbe.
Ka deklaruar se ka kërkuar nga PDK-ja që të ftojnë grupin punues që të dakordohen, duke shtuar se kanë propozuar dy deputetë që do të marrin pjesë në këtë grup.
“Besoj që ndoshta jemi vonë për të adresuar një çështje të tillë, por nuk jemi të interesuar që temat që janë me interes të madh të trajtohen si tema parciale”, ka thënë ajo. “Në momentin që kemi një draft të dakorduar nga të gjitha partitë, ne do ta votojmë në seancë”.
Ka shtuar se marrëveshjet ndërkombëtare që do të jenë në seancën e së premtes, janë ato që kanë qenë në seancën e kaluar por që u kërkuan të shtyhen pasi deputetët nuk e kishin kohën e mjaftueshme t’i trajtonin.
Nagavci duke folur për anëtarët e KQZ-së, ka thënë anëtari i radhës në KQZ duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Tahiri: E mbështesim rezolutën e PDK-së si pikë të parë të rendit të ditës
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se të premten do të mbahet seancë dhe janë katër marrëveshje ndërkombëtare për të cilat ka thënë se duhet të votohen. Tahiri ka thënë gjithashtu se debat ka pasur edhe për rezolutën e propozuar nga PDK-ja për mbrojtjen e viktimave të luftës, për të cilën theksoi se AAK-ja ka shprehur mbëeshtjetje që të jetë si pikë të parë e rendit të ditës.
Sipas Tahirit i gjithë debati në kryesi është ndërlidhur me procesin zgjedhor.
Deputeti nga AAK-ja, Tahiri, ka bërë të ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, se grupit parlamentar të kësaj partie i është bashkuar deputetja nga pakicat, Duda Balje.
“Në seancën e së premtes janë katër marrëveshje ndërkombëtare. Pati një debat të gjerë rreth rezolutës së propozuar nga PDK-ja. Grupi parlamentar i AAK-së e mbështet që rezoluta të jetë si pikë e parë. Çështja e dytë ka të bëjë me informatën që dua ta bëjë të ditur se deputetja Duda Balje i është bashkuar grupit tonë parlamentar, edhe ajo është në agjendë. Së fundmi ajo që mund të them është që i gjithë debati në kryesi po ndërlidhet me debatin që ndërlidhet me procesin zgjedhor. Shpresoj që kjo tejkalohet dhe të votojmë marrëveshje ndërkombëtare që janë në interes të vendit dhe të qytetarëve”, ka thënë Tahiri.