Inspektorati Sanitar, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, të premten e ka mbyllur përkohësisht një ordinancë private në veri të Mitrovicë, siç thuhet për shkak të shkeljeve të shumta që ka gjetur gjatë inspektimit.
“Gjatë inspektimit, është marrë vendim për mbylljen e përkohshme të ordinancës private ‘Hipokrat’, për shkak të shkeljeve të shumta. Janë konstatuar: Kushte të papërshtatshme higjienike, produkte medicinale me afat të skaduar, mungesë regjistrimi të biznesit – aktiviteti ushtrohej në një objekt banimi jo ne objekt afarist, u gjeten edhe produkte ushqimore të dëmtuara dhe pa afat të përdorimit, ndriçim jo adekuat, dysheme e dëmtuar dhe nyje sanitare nën standardet minimale, mungesë e librezave sanitare dhe certifikatave shëndetësore për personelin”, kanë bërë të ditur nga Inspektorati për KOHËN.
Këto shkelje, sipas Inspektoratit, “përbëjnë rrezik për shëndetin publik dhe do të trajtohen me seriozitetin më të lartë”.
Sipas burimeve në Inspektorat, pronarë të ordinancës janë dy serbë me shtetësi të Kosovës.
KOHA lidhur me këtë ka dërguar pyetje në faqen e ordinancës në Facebook, dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.
Sipas disa postimeve në Facebook ordinanca ofronte shërbime të endokrinologjisë.







