I njohur si bazamenti i shtetësisë së Kosovës, ky kompleks tash e më se dy dekada ka mbetur në këtë gjendje.
Qysh nga paslufta e deri më tash rreth 12 milionë euro janë investuar për rregullimin dhe restaurimin e shtëpive në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Ndonëse varrezat e familjes Jashari qëndrojnë në gjendje të mirë, dy shtëpitë që e dëshmojnë krimin e kryer nga forcat serbe janë drejt rrënimit. Me gjithë rrezikun e rrënimit të tyre, këto shtëpi dhe gjithë kompleksi i Jasharëve u vizitua vetëm sivjet nga gjysmë milioni persona.
“Të gjithë këta njerëz e kanë pasur dëshirën që të hynë të prekun në vendin ku është dhënë jeta dhe është bë lufta e familjes Jashari, ka prej tyre që në raste të caktuara hynë edhe brenda, një diçka që nuk është e lejueshme, arsyeja është vetëm për shkak të sigurisë, kurse kjo rrethoja, fatkeqësisht e shohim, borë e shi edhe dëmtohet nuk e ka sigurinë”, ka thënë ciceroni Xhevat Imeri.
Në lidhje me këtë Qeveria, në krye me Albin Kurtin, së fundmi ka themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit mbi Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, derisa në mbledhjen e mbajtur të martën u paralajmërua se javën e ardhshme do të nisin punimet.
“Gjatë mbledhjes së kaluar kemi miratuar raportin përfundimtar të vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit. Raporti është hartuar nga inxhinierët dhe profesorët e Fakultetit të Ndërtimtarisë, ndërkaq kjo është hera e parë që është realizuar një vlerësim i tillë profesional. Pas konstatimit të gjendjes kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm. Javën që vjen nisim ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesën e kompleksit”, pati thënë Kurti.
Nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës thonë se kompetencat për këtë tash e 5 vjet kanë kaluar te Qeveria dhe se këto janë vetëm pjesë e tij.
Drejtori i kësaj agjencie thotë se ka pasur vonesë në restaurimin e këtyre objekteve.
“Nga të gjitha ato kulla e shtëpi të rezistencës, 2 janë me prioritet që duhet të ndërmerren masa sa më urgjente, kurse 3 prej tyre janë në gjendje më të mirë, që mund ta përballojnë edhe këtë dimër, e që shpresojmë që vitin tjetër do fillojmë me implementimin e projektit të përgjithshëm”, ka thënë Bislim Zogaj.
Në mars të vitit 1998 gjatë tri netësh, më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekaz të Komunës së Skenderajt forcat serbe vranë e masakruan 59 anëtarët e familjes Jashari, në mesin e të cilëve edhe komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dhe vëllain e tij Hamëz Jashari.