Rreth 11 mijë zyrtarë publikë kanë deklaruar pasurinë gjatë këtij viti, ndërsa 62 prej tyre janë gjobitur për vonesa në përmbushjen e këtij obligimi ligjor. Për më tepër, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka dërguar edhe shtatë kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit për shkak të mospërputhjeve të evidentuara gjatë verifikimit të deklarimeve të pasurisë.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ka bërë të ditur se numri më i madh i zyrtarëve që janë vonuar me deklarimin e pasurisë vjen nga Policia e Kosovës.
“Zyrtarët të cilët janë vonuar në deklarimin e pasurisë janë të kategorive të ndryshme. Ka një numër pak më të madh të zyrtarëve që vijnë nga Policia e Kosovës, ka nga Doganat, nga ATK. Kemi zyrtarë komunalë sepse kemi pasur një transferim të pushteteve në këtë fillim viti, ku disa i kanë liruar pozitat disa të tjerë i kanë pranuar dhe si proces të largimit edhe të pranimit të detyrës disa nga ta janë vonuar në deklarimin e pasurisë dhe si të tillë ne kemi qenë të obliguar t’i shqiptojmë gjobë për vonesat e tilla. Nuk ka një numër shumë të madh ku mund të kishim thënë që gjysma janë të kësaj fushe, por ka pak më shumë nga Policia e Kosovës”, ka thënë Buleshkaj në një intervistë për Ekonomia Online.
Sipas Buleshkajt, gjobat variojnë në bazë të pagës së zyrtarit publik dhe shumica e tyre tashmë janë paguar.
“Gjobat që shqipton agjencia, variojnë nga paga që pranojnë zyrtarët. Është 30 përqind të pagës mujore të zyrtarëve, do të thotë nga baza e pagës, nga shuma neto e pagës jo nga shuma bruto e pagës. Këtu deri në 500 euro. Do të thotë shuma kryesisht ka variuar nga 250 euro deri në 300 euro gjobë. Në qoftë se këto gjoba ashtu që parasheh ligji për kundërvajtje janë shlyer brenda periudhës dyjavore janë shlyer vetëm gjysma e tyre sepse ashtu mundëson si lehtësim legjislacioni në Kosovë. Kemi një përgjigje të mirë me shumë se gjysma e gjobave tona tashmë janë shlyer dhe janë arkëtuar këto shuma”, ka thënë Buleshkaj.
Edhe
Mbi 100 zyrtarë janë gjobitur për vonesa në deklarim të pasurisë
Buleshkaj ka thënë se procesi i deklarimit të pasurisë këtë vit është realizuar tërësisht përmes sistemit elektronik.
“Gjatë procesit të deklarimit të pasurisë për këtë vit ne kemi pranuar një numër rreth 11 mijë deklarime të pasurisë që ka qenë numër rekord në vitet e fundit, të gjitha këto deklarime janë pranuar përmes sistemit elektronik, sistemi elektronik na ka mundësuar edhe evidentimin e saktë të vonesave sepse kemi në formë elektronike e dimë me sekonda se kur janë dorëzuar deklarimet e pasurisë. Kemi pasur shembull kur pjesëtarë të FSK-së kanë qenë në ushtrime ushtarake dhe pastaj u është pamundësuar qasja në sistemet elektronike për ta kryer këtë obligim. Të gjithë këta janë liruar nga përgjegjësia ligjore sepse objektivisht nuk kanë mundur ta kryejnë këtë obligim”, ka thënë Buleshkaj.
Buleshkaj bëri të ditur se për zyrtarët që kanë pasur mundësi ta përmbushin obligimin, por nuk e kanë bërë këtë, janë shqiptuar gjoba dhe masa disiplinore.
“Nga ata që e kanë pasur mundësinë objektivisht por kanë dështuar në kryerjen e këtij obligimi, ne kemi përgatitur një numër të madh të gjobave sepse numri më i madh i tyre është rregulluar me gjoba. I kemi 62 zyrtarë publikë të cilët jo vetëm gjatë procesit të deklarimit të rregullt po edhe në proceset e deklarimit të pasurisë me marrje të detyrës apo me përfundim deri në këtë moment, do të thotë nga 1 janari deri në këtë moment kanë pranuar gjobë për vonesë. Po ashtu i kemi edhe 19 nga ta të cilët kanë pranuar qortim jo publik apo publik për këtë vonesë. Qortimi publik është një masë më e lehtë e cila u jepet kryesisht zyrtarëve të cilët ne kemi pasur medyshje se a është, ka qenë me qëllim apo jo mosdeklarimi i pasurisë apo ka qenë vonesë disa minutshe apo disa sekondshe nga mesnata do të thotë deklarimi i tyre i pasurisë. Përveç këtyre, gjatë verifikimit të pasurisë i cili është përfunduar këtë vit, ne si agjenci jemi detyruar t’i dërgojmë si shtesë edhe 7 kallëzime penale në Prokurorinë e Shtetit për shkak të evidentimit të mospërputhjeve në deklarimin e pasurisë”, ka thënë Buleshkaj.
Edhe
78 raste të deklarimit të pasurisë dërgohen në Prokurori
Drejtori i APK-së tha se bashkëpunimi me Prokurorinë është përmirësuar, por shtoi se agjencia vazhdon të jetë e pakënaqur me trajtimin e kallëzimeve penale.
“Bashkëpunimi i agjencisë me prokurorinë është në përmirësim të vazhdueshëm mund të themi. Kemi pasur sfida fillestare më herët pastaj jemi në proces të përmirësimit të vazhdueshëm në kuptim më të mirë të njëri-tjetrit. Agjencia vazhdon të jetë e pakënaqur me mënyrën se si trajtohen kallëzimet penale sepse ende kemi numër shumë të madh të tyre që hudhen nga prokuroria për shkak që arsyetimi i tyre është që gjatë zhvillimit të hetimeve nga ana e tyre nuk është arritur që të vërtetohet dashja direkte në kryerjen e asaj vepre penale. Për neve nuk ka nevojë për verifikim të kësaj dashje sepse vetë mosdeklarimi duke marrë parasysh se agjencia të paktën tre herë e ka njoftuar secilin prej tyre qoftë me email qoftë me SMS për këtë obligim”, ka deklaruar Buleshkaj. /EO