Arbëri

Memli Krasniqi, kandidati i vetëm për kryetar të PDK-së

memli

Partia Demokratike e Kosovës më 21 qershor do ta organizojë Konventën e Përgjithshme, me kandidat të vetëm për kryetar Memli Krasniqin.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka cilësuar moment domethënës për partinë mbajtjen e konventës.

“Nën udhëheqjen e Kryetarit Memli Krasniqi, katër vitet e fundit kanë qenë vite të punës, reformës dhe ringritjes për PDK-në. Ne kemi shënuar fitore të rëndësishme në zgjedhjet lokale, kemi rritur ndjeshëm mbështetjen qytetare në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe kemi bërë hapa të mëdhenj drejt ndërkombëtarizimit të partisë sonë,” ka thënë Çitaku.

Ajo ka theksuar se i vetmi kandidat për kryetar të PDK-së në këtë Konventë është Memli Krasniqi, aktualisht Kryetar i PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës është parti me përvojë shtetformuese, me histori ndërtuese, dhe me kapacitet për të udhëhequr Kosovën drejt kapitullit të ardhshëm të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik. Ndaj, me këtë Konventë, ne nuk po zgjedhim vetëm drejtimin e partisë, por po përgatitemi për drejtimin e vendit”, ka thënë Çitaku.