Arbëri

Mërgimtarët: Shpenzimet e mëdha, por ia ka vlejtur pushimi

Sektori i turizmit në vend, sipas Ministrisë së Industrisë Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ka shënuar rritje, ku vetëm në pesë mujorin e parë, numri i netqëndrimeve është rritur për 10% krahasuar me vitin e kaluar. Njohësi i turizmit, Baki Hoti, thekson se rritja e numrit të turistëve ndikon në të gjitha degët e ekonomisë. Ndryshe, kthimi i mërgimtarëve pas pushimeve në Kosovë i ka kthyer edhe kolonat në pika kufitare

Kthimi i mërgimtarëve në vendet ku jetojnë pas pushimeve të verës në Kosovë, i ka kthyer edhe kolonat në pikat kufitare.

Mëngjesin e së shtunës, në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë pritje në dalje nga Kosova kanë shkuar deri në 40 minuta, ndërsa deri në 50 minuta në Merdar.

Sipas të dhënave të përditësuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, situata është përmirësuar dukshëm gjatë orëve të pasdites.

Mërgimtarët që po lëshonin Kosovën të shtunën, ndonëse thanë se kanë kaluar mirë, janë ankuar për çmime të larta.

“Për dy javë, 4 mijë euro i kam harxhuar, por prapë jam kënaqur”, ka thënë Avni Gollopeni.

E Armend Kryeziu ka thënë se për dy javë sa qëndroi në Kosovë i ka shpenzuar rreth 5 mijë euro.

“Unë jam nga Opoja, kam ndejtë dy javë në Kosovë. Gjithçka ka qenë e shkëlqyer. Harxhime kemi pasur të mëdha, diku deri në 5000 euro kemi shpenzuar”, ka treguar ai.

Përgjithësisht, edhe numri i turistëve gjatë periudhës së verës ka shënuar rritje.

Për trendin e rritjes kanë treguar edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Në vitin 2025, periudha e parë, pesë mujori, ka regjistruar gjithashtu rritje të numrit të vizitorëve dhe netqëndrimeve, me një rritje prej 10% në netqëndrime krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ky fluks turistik ka stimuluar kërkesën për shërbime akomodimi dhe ushqimi, duke krijuar mundësi punësimi për shumë individë dhe familje. Sipas të dhënave nga ASK-ja, numri i të punësuarve vetëm në sektorin e akomodimit dhe ushqimit është rreth 30 mijë, që përben rreth 7% te forcës punëtore të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Edhe njohësi i turizmit, Baki Hoti, thekson se numri i turistëve në muajt e parë të këtij viti ka shënuar rritje krahasuar me vitin e kaluar, dhe në të kanë ndikuar edhe festivale sikurse “Sunny Hilli”.

Ai ka theksuar se rritja e numrit të turistëve ndikon në të gjitha degët e ekonomisë.

“Industria e turizmit është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së vendit dhe ndikon edhe në industri të tjera. Një vizitor përdor taksinë, hotelin, restorantin, ushqimet tradicionale, shërbimet e bujqësisë, aktivitetet kulturore dhe shërbime të tjera. Me zhvillimin e turizmit zhvillohen të gjitha industritë dhe rritet ekonomia e vendit”, ka thënë Hoti.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritje të numrit të mërgimtareve për 12% krahasuar me vitin paraprak vendi ka pasur edhe në vitin 2024.

Vitin e kaluar, Kosovën e kanë vizituar gjithsej 698 mijë vizitorë nga mërgata, por të dhënat e ASK-së flasin për rritje prej 18 për qind edhe të vizitorëve të huaj.