Kodi Penal e parasheh si dënim plotësues edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit të mësimdhënësve. Por, në bazë të 11 aktgjykimeve që janë publike del se prokurorët nuk ia kërkojnë gjykatave shqiptimin e këtij lloji dënimi atyre. Në këto raste as komunat nuk ia ndërpresin marrëdhënien e punës mësimdhënësve e drejtorëve që keqtrajtojnë nxënësit.
Mësimdhënësve që janë përgjegjës penalisht për keqtrajtim të nxënësve nuk u ndalohet ushtrimi i profesionit nga gjykatat e as nuk përjashtohen nga puna nga Komunat.
Në bazë të aktgjykimeve dënuese të publikuara në faqen e Këshillit Gjyqësor nga vitit 2019 deri ne vitin 2025 del që mësimdhënësit nga gjyqësori janë dënuar nga burgimi me kusht deri në 3000 euro, ndërsa me 5000 euro gjobë është dënuar një drejtor shkolle në komunën e Lipjanit.
F. N në Dragash Burgim me kusht(2019) F. Z në Malishevë u dënua me Burgim me kusht(2024), ashtu edhe si A. B në fshatin Opterushë (Rahovec) më 2025. A. TH Malishevë u dënua me 200 euro gjobë më 2025, N. Z në Suharekë me 350 euro gjobë (2025), L. S në Suharekë ne 600 euro gjobë (2025), në G. S me Prizren 800 euro (2025), F. T në Dragash me 1.000 euro (2025), A. M në Dragash me 3.000 euro gjobë(2023), R. Sh në Krushë të Prizrenit me 3.000 (2025) dhe S. A që është drejtor shkolle në Gadime të Lipjanit me 5.000 euro gjobë (2025).
Në bazë të aktgjykimeve, prokurorët e shtetit nuk i kanë kërkuar gjykatës që me rastin dënimit t’ia shqiptojnë ndalimin e ushtrimit të profesionit, i veprimtarisë ose detyrës që parashihet, kërkesë që mund ta parashtrojnë në bazë të nenit 59 të Kodit Penal. Prokurorët në bazë të 11 aktgjykimeve janë marrë vesh me të akuzuarit për pranimin e fajësisë.
Koha i ka pyetur komunat që kanë mësimdhënës që përmenden në aktgjykime si keqtrajtues se a i kanë përjashtuar nga puna ndonjë mësimdhënës për keqtrajtim dhe çfarë ka ndodhur me ta. Në komunën e Pejës kanë thënë se kanë dy raste përjashtimi nga viti 2019, njëri i dënuar për vrasje e një tjetër i denoncuar për ngacmim seksual, por jo edhe për keqtrajtim.
“Gjatë periudhës 2019–2026, kemi pasur këto dy raste të denoncuara, të cilat kanë përfunduar me masën disiplinore të ndërprerjes së marrëdhënies së punës për të dy mësimdhënësit” , thuhet në përgjigjen e Komunës së Pejës.
Në komunën e Malishevës kanë thënë se pas shpalljes si i pafajshëm në një rast arsimtari është kthyer në shkollë, por ai në atë kohë ka qenë para pensionimit.
“Kemi pasur dy raste të akuzave për ngacmim seksual dhe një rast me akuzë për dhunë fizike. Në të gjitha rastet, janë marrë masat e largimit te përkohshëm ashtu siç e parasheh ligji. Rastet e akuzave për ngacmim seksual, nga gjykatat janë shpallur të pafajshëm, dhe më pas, njëri është rikthyer në punë (punëtor teknik) dhe rasti tjetër, me vetë dëshirë nuk është kthyer, por ka dalë i pafajshëm. Po ashtu edhe te rasti i dhunës fizike, arsimtari është përjashtuar fillimisht një muaj, por në ndërkohë ka dalë i pafajshëm dhe i njëjti është rikthyer në punë (vërejtje: ka qenë para pensionimit dhe tashmë është i vdekur)”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.
Në Komunën e Prizrenit kanë thënë se kenë vepruar në përputhje të plotë me përgjegjësitë ligjore, duke aktivizuar mekanizmat përkatës institucionalë dhe duke bashkëpunuar me autoritetet kompetente, por pa treguar se a janë larguar nga puna dy mësimdhënës që edhe në gjykatë e kanë pranuar fajësinë.
Në komunën e Suharekës e kanë konfirmuar se nuk kanë asnjë mësimdhënës të përjashtuar shkaku i keqtrajtimit të mësimdhënësve.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, në një përgjigje për Kohën tha se për njërin nga mësimdhënësit që para gjykatës e ka pranuar fajësinë, nuk është inicuar procedurë disiplinore.
“Në rastin e parë ndaj mësimdhënësin Nazim Zenelaj është zhvilluar procedure disiplinore dhe nga Komisioni Disiplinor është nxjerr një vendim disiplinor, i cili është zbatuar konform bazës ligjore adekuate. Ndërsa për rastin e dytë ndaj edukatores Luljeta Sopa procedura disiplinore nuk është iniciuar dhe rasti nuk është proceduar në Komisioni disiplinor, por gjatë kësaj periudhe, Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me shkollën ka ndërmarrë masa preventive dhe administrative në kuadër të kompetencave të saj për shkak se nuk ka pasur vendim të formës së prerë nga organet e drejtësisë”, ka thënë ai në një përgjigje për Kohën.
Muharremaj tha po ashtu se komuna nuk e ka ditur dhe e ka mësuar nga redaksia se ka mësimdhënës të dënuar.
“Drejtoria e Arsimit dhe as Drejtoritë e shkollave nuk kanë marrë njoftimin për aktgjykimet e formës së prerë. Me këtë dokument u informuam përmes këtij emaili ndërsa masat, për të cilat ju njoftuam më lart janë marrë menjëherë pas raportimit te rasteve”, shkruhet në përgjigjen e Muharremajt.
Në 11 aktgjykimet që janë publikuar në faqen e KGJK-së rezulton se të gjithë të akuzuarit kanë lidhur marrëveshje me Prokurorin për pranimin e fajësinë. Në bazë të aktgjykimeve të publikuara del edhe se ka dënime nën minimumin ligjor.
Në këto raste të akuzuarit siç janë mësimdhënësit, heqin dorë nga ankesat kundër aktgjykimit, ata mund të ankohen vetëm lidhur me shkallën e dënimit. Komuna e Dragashit, Rahovecit e as Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk është përgjigjur në pyetjet e redaksisë për mësimdhënësit që i kanë nën përgjegjësi. Kushtetuta e Kosovës përcakton se secili fëmijë gëzon të drejtën për të qenë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi dhe eksploatimi. Për personat zyrtarë që keqtrajtojnë fëmijë gjatë detyrës, Kodi Penal parasheh 6 muaj deri në pesë vjet burgim.