Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Michael Roth në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 56-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth.
 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Roth: Kam gabuar për Kosovën, dialogu me Serbinë u shndërrua në mjet bllokimi

2 o. më parë / 14 qer 2026 20:30
Michael Roth

Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka pranuar se ka gabuar në qasjen e tij ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke thënë se për vite me radhë kishte besuar se përparimi në dialogun me Serbinë ishte kushti kryesor për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Roth ka thënë se me kalimin e kohës e ka kuptuar se kjo qasje nuk ishte e drejtë, pasi dialogu nuk ishte i balancuar mes dy palëve.

“Mendoja për një kohë shumë të gjatë se vetëm përparimi i konsiderueshëm në dialogun e normalizimit e afron Kosovën me BE-në. Dhe ky ishte një gabim”, deklaroi Roth.

Sipas tij, përparimi në dialog ishte shumë më i rëndësishëm për Kosovën sesa për Serbinë, gjë që i krijoi Beogradit mundësinë ta përdorte procesin si mjet bllokimi ndaj Prishtinës.

“Në fund, dialogu i normalizimit nuk ishte kurrë një gjë e ekuilibruar mirë. Për Beogradin përparimi në dialog nuk ishte aq i rëndësishëm sa ishte për Kosovën. Kështu ishte shumë e thjeshtë për Beogradin dhe për Aleksandar Vuçiqin ta bllokonin Kosovën”, ka thënë ai.

Roth kritikoi gjithashtu qasjen e Bashkimit Evropian ndaj liderëve autoritarë në rajon, duke thënë se Evropa nuk u ka dërguar gjithmonë mesazhe të qarta për orientimin e tyre gjeopolitik.

Ai theksoi se BE-ja ka bërë gabime duke toleruar politikanë që, sipas tij, përfitonin nga fondet dhe mbështetja evropiane, ndërsa në të njëjtën kohë forconin lidhjet me Rusinë.

Sipas Rothit, përvoja me liderë si Vuçiqi dhe ish-kryeministri hungarez Viktor Orban tregon se demokracitë evropiane shpesh kanë nënvlerësuar aftësinë e udhëheqësve autoritarë për të shfrytëzuar dobësitë e politikave perëndimore.

 


 

Roth: BE-së i mungon interesi strategjik për Ballkanin Perëndimor

3 o. më parë / 14 qer 2026 20:15
Michael Roth

Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka vlerësuar se Bashkimit Evropian i mungon një interes i qartë strategjik për Ballkanin Perëndimor, duke paralajmëruar se vakuumi i krijuar në rajon është shfrytëzuar nga fuqitë e tjera si Rusia, Kina dhe Turqia.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Roth ka thënë se BE-ja është e përqendruar kryesisht te lufta në Ukrainë, por kjo duhet të shërbejë si një “zile zgjimi” për t’i kushtuar më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor.

“Ekziston një mungesë e madhe e interesit strategjik për Ballkanin Perëndimor. Kjo zbrazëti politike është mbushur nga kinezët, rusët dhe turqit, dhe ky është një problem i madh për ne”, ka thënë ai.
Sipas Rothit, përgjegjësia për ngecjen e procesit integrues nuk bie vetëm mbi vendet e rajonit, por edhe mbi qendrat vendimmarrëse evropiane si Brukseli, Berlini dhe Parisi, të cilat, sipas tij, nuk kanë arritur të mbajnë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit.

Ai përmendi edhe rastin e Kosovës, duke theksuar se pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e saj, ndërsa kritikoi mungesën e një strategjie afatgjatë për Bosnjë-Hercegovinën dhe zhvillimet politike në Serbi, të cilën e cilësoi si një shtet me prirje autoritare.

Roth u ndal edhe te rasti i Maqedonisë së Veriut, duke thënë se vendi bëri kompromise të mëdha për t’iu afruar BE-së, përfshirë ndryshimin e emrit, por më pas u përball me kushte të reja nga disa vende anëtare, gjë që, sipas tij, kontribuoi në dobësimin e forcave pro-evropiane dhe forcimin e partive nacionaliste e euroskeptike.

Ai shprehu shpresën se Bashkimi Evropian do të nxjerrë mësime nga gabimet e së kaluarës dhe do të investojë më shumë angazhim politik, financiar dhe diplomatik në Ballkanin Perëndimor.

 


 

Roth: Evropa është e rrezikuar nga nacionalizmi dhe populizmi

3 o. më parë / 14 qer 2026 20:05
Michael Roth

Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka vlerësuar se Evropa po përballet me kërcënime serioze si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, duke theksuar se rritja e nacionalizmit dhe populizmit paraqet një rrezik të madh për të ardhmen e kontinentit.

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Roth ka thënë se Evropa gjendet nën presion të vazhdueshëm, ndërsa sfidat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm pas agresionit rus në Ukrainë dhe ndryshimeve në qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj mbrojtjes evropiane.

“Evropa është nën sulm përbrenda, por edhe nga jashtë. Rritja e nacionalizmit dhe populizmit është një kërcënim i madh për të gjithë ne”, deklaroi Roth.

Ai ka thënë se mesazhi që vjen nga presidenti amerikan Donald Trump është i qartë se siguria evropiane duhet të jetë përgjegjësi e vetë Evropës, duke shtuar se kontinenti nuk mund të mbështetet më në rolin tradicional të SHBA-së si garantues kryesor i sigurisë.

“Nuk janë të përkushtuar (Putini e Trumpi) ndaj vlerave tona evropiane. Dhe ky është një problem i madh jo vetëm për Kosovën, por edhe për Gjermaninë, për të gjithë ne në BE, në Evropë, mesazhi i Trumpit është shumë i qartë: ‘Nuk më intereson siguria evropiane. Është oborri juaj. Janë interesat tuaja. Bëjeni vetë’. Pra, kjo është një sfidë vërtet e madhe për ne”, u shpreh ai. 

Sipas Rothit, udhëheqësit evropianë për vite me radhë nuk e kuptuan sa duhet zhvendosjen e fokusit amerikan drejt rajonit Indo-Paqësor dhe konkurrencës me Kinën, ndërsa Evropa vazhdoi të mbështetej në ombrellën e sigurisë amerikane. Ka theksuar se në planin afatgjatë Bashkimi Evropian duhet të ndërtojë kapacitetet e veta të përbashkëta ushtarake.