Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, tha se dënon thirrjet nacionaliste dhe ksenofobe kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje të zhvilluar në Kumanovë, në mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Gjatë ndeshjes së zhvilluar në fundjavë u dëgjuan thirrje sikurse “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër”.
Në ndeshje ishin prezent përfaqësues të lartë shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, në mesin e tyre edhe kryeministri Hristjan Mickoski.
Mickoski gjatë një prononcimi për media të hënën tha se edhe pse ishte i pranishëm në sallë, por se nuk i vuri re tifozët që brohoritën këto thirrje, pasi tha se bëhet fjalë “për një grup të vogël njerëzish”.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.