Në episodin e 60-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është historiani serb Milivoj Beshlin. (Pjesa e katërt)
Beshlin: Rusia nuk do të ketë fuqi të merret me Ballkanin në dekadat e ardhshme
Historiani serb Milivoj Beshlin ka vlerësuar se Rusia, pas luftës në Ukrainë, nuk do të ketë kapacitetin që në dekadat e ardhshme të ushtrojë ndikimin që ka pasur deri më tani në Ballkan.
Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Beshlini ka thënë se Rusia ka pësuar një disfatë jo vetëm ushtarake dhe materiale, por edhe morale e politike në Ukrainë, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e saj për t'u angazhuar në rajon në të ardhmen.
Sipas tij, kjo do ta vendosë Serbinë përballë një zgjedhjeje të rëndësishme strategjike për orientimin e saj.
“Pastaj shtrohet pyetja se ku dhe në cilin drejtim do të kthehet Serbia. A do t’i kthehet Bashkimit Evropian, paqes me fqinjët dhe demokratizimit të vet?”, u shpreh Beshlin.
Ai shtoi se shenja më e qartë e një Serbie demokratike do të ishte heqja dorë nga, siç e quajti ai, koncepti shkatërrues i shtetit të madh dhe ndërtimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e rajonit.
Beshlin: Doktrina e Vuçiqit bazohet në sovranitetin e kufizuar të shteteve fqinje
Historiani serb Milivoj Beshlin ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndjek një doktrinë që e përshkruan si “sovraniteti i kufizuar i shteteve fqinje”, duke e krahasuar atë me doktrinën e ish-udhëheqësit sovjetik Leonid Brezhnjev.
Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Beshlin u shpreh se kjo doktrinë buron nga koncepti i nacionalizmit serb dhe parasheh që Vuçiqi ta shohë veten si bartës të sovranitetit të serbëve kudo që ata jetojnë në rajon.
Sipas tij, kjo nënkupton se shtetet fqinje ku jetojnë komunitete serbe nuk trajtohen si plotësisht sovrane në marrjen e vendimeve të tyre, pasi, sipas kësaj logjike, Vuçiq pretendon të ketë rol edhe mbi serbët jashtë kufijve të Serbisë.
Beshlin kundërshtoi pretendimet se Vuçiqi nuk ka ideologji dhe vepron vetëm për interesa të pushtetit apo korrupsionit.
“Ky është nacionalizmi serb me të gjitha karakteristikat e tij të njohura. Vuçiq nuk e sheh veten si president të qytetarëve të Serbisë, të kufizuar nga Kushtetuta, por si udhëheqës të serbizmit në rajon”, ka thënë ai.
Beshlin: Anëtarësimi i Malit të Zi në BE po e nervozon regjimin e Vuçiqit
Historiani serb Milivoj Beshlin vlerëson se perspektiva e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian po shkakton nervozizëm të madh te regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Beshlin ka thënë se konsolidimi i shtetësisë së Malit të Zi dhe rruga e tij drejt BE-së përbëjnë një goditje ndaj idesë së “Serbisë së Madhe”.
Sipas tij, reagimet e fundit të Beogradit, përfshirë incidentet në samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat dhe sulmet verbale me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, dëshmojnë këtë nervozizëm.
“Mund ta shoh që me pranimin formal të Malit të Zi në BE, shpresojmë që e gjitha të ndodhë më 2028, e le të ndodhë edhe më 2030, do të jetë një goditje idesë për shtetin e madh të Serbisë, e cila javëve të fundit shpërfaq një nervozizëm të madh, nga këto incidentet që Vuçiqi bëri ose u përpoq të bënte në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, deri te të gjitha këto sulme të fundit ndaj Malit të Zi që vijnë nga Beogradi me rastin e 20 vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi”, ka thënë ai.
Beshlin u shpreh se festimi i 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi e ka befasuar regjimin në Beograd, pasi, sipas tij, ai kishte pritur që ndryshimet politike në Podgoricë ta çonin vendin në drejtimin e kundërt.
Ai shtoi se proceset politike dhe regjistrimi i popullsisë kanë treguar një legjitimitet gjithnjë e më të madh të shtetësisë malazeze, ndërsa rruga drejt Bashkimit Evropian gëzon mbështetje të gjerë, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.
Sipas Beshlinit, regjimi i Vuçiqit po përpiqet ta eksportojë krizën e brendshme politike në Serbi, e cila, sipas tij, është shndërruar në një krizë të legjitimitetit të vetë presidentit serb.
-
Beshlin: Anëtarësimi i Malit të Zi në BE po e nervozon regjimin e Vuçiqit
-
Beshlin: Doktrina e Vuçiqit bazohet në sovranitetin e kufizuar të shteteve fqinje
-
Beshlin: Rusia nuk do të ketë fuqi të merret me Ballkanin në dekadat e ardhshme
-
Milivoj Beshlin në PIKË me Veton Surroin (III)
-
Milivoj Beshlin në PIKË me Veton Surroin (II)