Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Gordan Grliq Radman ka thënë se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të forconte stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Të enjten në Asamblenë Parlamentare të KIE, Radman ka thënë se pranimi i Kosovës do të përmbushte misionin për promovim të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit në të gjithë Evropën. Ai ka shtuar se pranimi i Kosovës përfaqëson shans strategjik.
“Pranimi i Kosovës do të forconte stabilitetin rajonal, do të përkrahte integrimin evropian të Kosovës dhe do t’ua mundësonte të gjitha komuniteteve, përfshirë komunitetit serb, që të kenë qasje të plotë në sistemin evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
Fjalimin e tij e ka shpërndarë në rrjete sociale ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës. Donika Gërvalla ka falënderuar Radmanin për mesazhin e dhënë, teksa ka shtuar se “Evropa është më e fuqishme kur bashkohet në vlera”.
Kosova pati aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022. Vendimi final i takon Komitetit të Ministrave, organ që përfaqëson qeveritë e vendeve anëtare. Çështja që ndikoi në vendimin për mospërfshirjen e Kosovës në majin e vitit të shkuar ishte mosprocedimi i drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.