Ministria e Drejtësisë i ka quajtur të pavërteta dhe tendencioze deklaratat e ish-deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, se shpallja e pozitave të larta drejtuese nga ministria është në kundërshtim me ligjin.
Ministria ka thënë përmes një reagimi se pretendimet e Bajramit nuk qëndrojnë as në aspektin faktik dhe as në atë ligjor, dhe se “përbëjnë një përpjekje për të krijuar perceptim të rremë në opinionin publik mbi procese të rregullta dhe të ligjshme”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Procedurat për këto pozita janë iniciuar përmes kërkesës zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë për hapjen e tyre, në kuadër të Planit të Rekrutimit për vitin 2026, të përcjellë më 27 prill 2026 në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, në kohën kur Qeveria ushtronte mandatin e saj të plotë dhe para hyrjes në fuqi të kufizimeve për Qeverinë në dorëheqje. Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, organizimi dhe zhvillimi i mëtejmë i procedurave të rekrutimit për pozitat e larta drejtuese realizohet nga ministria përgjegjëse për administratën publike, sipas një kornize të qartë dhe të përcaktuar me ligj”, thuhet në reagim.
Ministria shtoi tutje se ka vepruar në përputhje të plotë me kornizën ligjore dhe planifikimin institucional.
“Publikimi i konkurseve në portalin shtetëror për rekrutim elektronik (https://konkursi.rks-gov.net) më 28 prill dhe e drejta për aplikim deri më 28 maj, janë zhvillime procedurale që burojnë drejtpërdrejt nga kjo kërkesë e rregullt dhe e ligjshme dhe nuk përbëjnë në asnjë rast inicim të ri në periudhën e kufizimeve”.
Për tri pozitat e shpallura – për drejtorë në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, dhe në Inspektoratin e MD-së - Bajrami pati thënë se këto tri institucione janë bërë pjesë e “valës së konkurseve joligjore”.
“Ligji për Qeverinë është i qartë. Neni 31 – Kufizimet e Qeverisë në dorëheqje përcakton se Qeveria në dorëheqje: ‘Nuk inicion procedura të reja për emërimin në pozitat publike, për emërimin e të cilave është kompetente në bazë të ligjeve përkatëse’”, pati shkruar ajo.
Hykmeti pati shtuar se qeveria në detyrë s’ka legjitimitet të plotë për të shpallur pozitat.
“Ajo duhet të kryejë vetëm punët e domosdoshme, jo të hapë konkurse për pozita kyçe në administratë, agjenci, drejtësi e institucione publike. Institucionet nuk janë pronë partie, drejtësia nuk është strehë për militantë dhe shteti nuk është zyrë punësimi për pushtetin në ikje”.