Arbëri

Ministria s’përgjigjet për projektin e zgjerimit të rrugës N25

Asnjë përgjigje për gati tre muaj nuk e ka kthyer Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për projektin e zgjerimit të rrugës magjistrale Podujevë - Prishtinë.

Megjithëse pyetjet i janë dërguar Divizionit për komunikim publik të kësaj Ministrie prej 25 qershorit dhe më 13 korrik ministrit Liburn Aliu e 7 shtator zëvendësministrit Hysen Durmishi, përgjigjet kanë munguar.

KOHA ka kërkuar përgjigje se sa kishte ndarë buxhet kjo Ministri për shpronësime e sa për pjesën e zgjerimit të rrugës për këtë vit, sa mjete janë shpenzuar deri tash, për dinamikën e punimeve (planin) në këtë projekt dhe për defektet që e kanë përcjell këtë rrugë që nga fillimi kur kishte nisë në vitin 2016, por zyrtarët e MMPHI-së kanë vazhduar të heshtin.

Në pjesën ku është punuar deri tash, përveç që është punuar me një intensitet shumë të vogël, nga ekspertë të komunikacionit rrugor është vlerësuar edhe joprofesional. Në pjesën ku është punuar, askund nuk ka vendstacion (vendëndalje) për autobusë, nuk ka shirit ndihmës për hyrje-dalje nga fshatrat dhe lagjet që lidhen me magjistrale, nuk ka rrethrrotullim (pos atij që lidhet me rrugën kryesore të qytetit të Podujevës “Zahir Pajaziti” afër ish-hotel “Besiana”) ku fillon zgjerimi, dhe nuk ka as mbikalim ose nënkalim për të ndërruar kahjen-drejtimin e automjetet.

Në mungesë të vendëndaljeve të autobusëve, kompanitë për trasportimin e udhëtarëve marrjen dhe zbritjen e udhëtarëve e bëjnë në trasenë e rrugës, duke e vështirësuar qarkullimin dhe po ashtu e shtojnë rrezikun për aksidente. Në mungesë të shiritit ndihmës për hyrje-dalje, ngasësit e automjeteve çdo ditë rrezikojnë kur inkuadrohen në magjistrale direkt në shiritin e shpejtë e sidomos për ato vende ku pjerrtësia e rrugës së lagjeve është shumë e madhe dhe banorët derisa të dalin në trasenë e magjistrales nuk e shohin fare rrugën. Në mungesë të rrethrrotullimit, mbikalimeve ose nënkalimeve në një distancë prej afërsisht 8 km, automjetet detyrohen që kahun-drejtimin e rrugës ta bëjnë nga shiriti i shpejtë në shiritin e shpejtë në vendet “ilegale” ku tash janë lënë të hapura, duke rrezikuar veten dhe ngasësit e tjerë që vijnë në drejtimin e kundërt.

Bekim Ahmeti, që është ekspert i komunikacionit ka vërejtje të shumta për punimet që janë bërë në këtë rrugë. Ai i kishte thënë më herët KOHËS se për shkak të defekteve në këtë rrugë, rrezikshmëria nga aksidentet është shumë e lartë.

“Rruga ka një karakter të rëndësishëm për vendin, për arsye që vendin e lidhë me Evropën. Kjo rrugë ka edhe karakter ndërkombëtar. Kjo rrugë është në gjendje të keqe, sidomos kyçjet dhe shkyçjet e kategorisë së tretë të rrugës, nga niveli i tretë i kategorisë së rrugës në të parin. Gjë që e rrezikon ndjeshëm sigurinë në komunikacion dhe shton numrin e aksidenteve”, kishte thënë Bekim Ahmeti. “Siç e ceka më lartë, në qoftë se kategoria e tretë e rrugës lidhet drejt në të parën, atëherë bie niveli i sigurisë. Zakonisht rrugët në Republikën e Kosovës nuk po analizohen si duhet dhe kjo po shkakton pastaj aksidente. Rruga duhet të analizohet edhe gjatë kohës së ndërtimit të rrugëve të reje, kur kemi shtim të korsive si në rastin Prishtinë-Podujevë”, ka theksuar ai.

Ahmeti ka thënë gjithashtu se udhëkryqet duhet të analizohen në aspektin e gjeometrisë së rrugës, në aspektin e sigurisë, si dhe në aspektin e nivelit të shërbimit. Sipas tij, rruga duhet patjetër të ketë nënkalime ose mbikalime, varësisht prej gjeometrisë së rrugës. Përndryshe, ai ka thënë, numri i aksidenteve do të rritet.

“Vendëndalje për autobusë duhet të ketë varësisht prej vendbanimeve dhe sa më të përshtatshme që ka mundësi. Duhet të jenë të projektuara në atë mënyrë që në gjuhën profesionale quhen xhep stacion”.

4.23 kilometrat e parë që kanë filluar në vitin 2016 do të duhej të përfundonin në vitin vijues. Por, kjo nuk ka ndodhur as tash në fund të vitit 2021. Në këtë pjesë të rrugës janë dy ura që duhet të ndërtohen dhe nuk kanë filluar ende, po ashtu një mbikalim ishte paraparë te vendi i quajtur “Qershitë e Llapashticës”.

Por, as kjo nuk ka filluar.