As SHSKUK-ja dhe as Ministria e Brendshme nuk e kanë marrë përgjegjësinë për mosevidentimin e pasurisë së shumicës së klinikave dhe spitaleve rajonale, në “e-Pasuria”. Këto institucione kanë fajësuar njëra-tjetrën, për mungesën e qasjes në platformë
Përgjegjësinë për mosfunksionalizimin e plotë të sistemit “e-Pasuria”, përmes të cilit evidentohet edhe pasuria e institucioneve shëndetësore, Ministria e Punëve të Brendshme ia ka faturuar Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar.
Në raportin e fundit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se 23 klinika të QKUK-së dhe katër spitale rajonale nuk e kanë evidentuar pasurinë në këtë sistem.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPas kësaj, në një përgjigje për KOHËN, zyrtarë të SHSKUK-së thanë se kanë gatishmëri për të punuar në të, por se kjo nuk është bërë, pasi sipas tyre, Ministria nuk ka hapur llogaritë e përdoruesve në platformë për të gjitha klinikat.
Por, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, që vepron në kuadër të MPB-së, i ka kundërshtuar këto pretendime, duke thënë se i ka kryer të gjitha obligimet e saj dhe se përgjegjësia për përdorimin e sistemit bie mbi vetë SHSKUK-në.
“ASHI ka pranuar kërkesën nga QKUK më 20 nëntor 2024 dhe hapja e përdoruesve është realizuar më 11 dhjetor 2024, duke krijuar përdoruesit, depot dhe qasjet përkatëse për të gjitha klinikat. Përgjegjësia për zbatimin e rekomandimeve dhe përdorimin e sistemit bie mbi institucionet përkatëse. Sistemi “e-Pasuria” është funksional dhe i përdorueshëm brenda QKUK-së”, thuhet në përgjigjen e ASHI-së.
Pavarësisht këtij versioni të MPB-së, SHSKUK-ja ka vazhduar të insistojë se përgjegjësia nuk qëndron të ky institucion.
“Siç e kam theksuar në përgjigjen paraprake se user-at për 23 klinika janë hapur në vitin 2024, mirëpo për klinikat tjera kërkesa ka qenë e vitit 2025, pra vitin e kaluar, ku edhe kam pasur takim më datën 10.09.2025 me zyrtarët përgjegjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, lidhur me hapjen e usera-ve edhe për klinikat tjera, mirëpo nuk janë hapur”, ka thënë Havushe Rexhepi, shefe e sektorit të pronës në SHSKUK.
Mosevidentimi i pasurisë në platformën “e-Pasuria”, nga shumica e klinikave të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, e përsëritur për të paktën tre vjet me radhë.