Qytetarët të zonës janë ankuar për rreziqet që mund të shkaktojnë minjtë, pasi edhe kalojnë shumë fëmijë çdo ditë. Blerina Lila, banore dhe drejtoreshë e një prej kopshteve në këtë lagje, ka thënë se janë të shqetësuar nga gjendja e krijuar. Sipas saj, zona në të shumtën e kohës është e papastruar. Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje për hallin e qytetarëve
Vendi ku grumbullohen mbeturinat në rrugën “Hyzri Talla” në Bregun e Diellit është shndërruar në “çerdhe” për brejtës.
Qytetarët të zonës janë ankuar për rreziqet që mund të shkaktojnë minjtë, pasi edhe kalojnë shumë fëmijë çdo ditë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBlerina Lila, banore dhe drejtoreshë e një prej kopshteve në këtë lagje, ka thënë se janë të shqetësuar nga gjendja e krijuar.
“Kohëve të fundit ka filluar të na shqetësojë shumë përhapja e madhe e minjve në këtë zonë të kontejnerëve. Ka një kohë të gjatë që vërehen minjtë, të cilët tashmë i kanë krijuar zonat e tyre, pra strehën e tyre. Vërehet vazhdimisht një numër i madh i minjve. Me të thënë të drejtën, ne jemi të shqetësuar si zonë dhe, realisht, kemi shumë çerdhe në këtë lagje. Është një shqetësim i madh, për të cilin institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për dezinfektim dhe deratizim, si dhe të na sigurojnë një mirëqenie më të mirë në lagje, sepse mbi të gjitha preket shëndeti publik”, ka thënë Lila.
Ajo ka thënë se në të shumtën e rasteve zona është e papastër nga mbeturinat, ndërsa ka ftuar institucionet të ndërmarrin masa.
“Sigurisht që fëmijët i kemi prioritet dhe duhet të jenë prioritet edhe i institucioneve. Kjo çështje duhet të trajtohet me seriozitet, në mënyrë që fëmijët të kenë një mirëqenie më të mirë dhe të rriten në një vend më të pastër. Realisht, nuk jam e sigurt nëse ka ardhur dikush të intervenojë, sepse ka kohë që kjo zonë rri e papastër dhe e pa mirëmbajtur. Shumë shpesh shihet një grumbull i madh mbeturinash që nuk mirëmbahen. Po të kishin ardhur të bënin ndonjë intervenim, zona do të ishte më e pastër. Unë nuk kam parë diçka të tillë”, ka thënë ajo.
Edhe banori Pajazit Halimi është shprehur i shqetësuar nga kjo gjendje.
“Kaloj këndej shpesh, para 40 minutave këtu një grua hodhi një qese, minjtë ishin aty, unë u tmerrova, po të mos isha unë ajo gruaja do të frikësohej, ishin shumë të mëdhenj. Këtu është shumë shqetësuese, unë kaloj shpesh këndej, veç nuk e di nga kanë ardhur”, ka thënë Halimi.
Epidemiologia Lebibe Hashani ka thënë se për të menaxhuar këtë situatë është e nevojshme të paktën dy herë në vit të kryhet deratizimi.
Hashini ka theksuar se kjo duhet të bëhet në pranverë dhe vjeshtë kur ndodh shumimi i tyre.
Ajo ka përmendur edhe një numër sëmundjesh që mund të shkaktohen si pasojë e brejtësve
“Për këtë arsye është shumë rrezik i madh, sepse brejtësit shkaktojnë shumë sëmundje infektive, siç është leptospiroza, salmonella, hepatiti A, si dhe hantavirusi… Të gjitha këto dhe të tjera. Faktikisht në literaturë thuhet se më shumë se 300 mikroorganizma mund t’i shpërndajë një brejtës, sepse ata janë imunë ndaj mikroorganizmave të tyre, kurse ne nuk jemi imunë”, ka thënë Hashani.
Ajo ka deklaruar se mosgrumbullimi i mbeturinave për një kohë të gjatë ndikon në shtimin e brejtësve.
KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës nëse do të ndërmarrë masa për këtë problematikë, por gjatë ditës së enjte nuk ka marrë përgjigje.