Arbëri

MSH-ja reagon pas pretendimeve të një personi se e shëron autizmin: Mos bini pre e mashtrimeve

Ministria e Shendetesise

Foto: Driton Paçarada

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pasi një qytetar nga Gjilani, iu ka përshkruar ilaqe në vlerë mijëra euro fëmijëve të prekur me autizëm. Arianit Sllamniku ka publikuar edhe në rrjetin e tij social Facebook të kinse trajtimit të këtyre rasteve.

Ministria iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’iu besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe të mos bien pre e mashtrimeve.

“Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe rrjete sociale lidhur me pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe, duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm. Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagim.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se ka njoftuar edhe institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes.

KOHA ka kontaktuar edhe Policinë në Gjilan. Në një përgjigje kanë deklaruar se është iniciuar si rast dhe është i njoftuar edhe prokurori.

Ndaj pretendimeve të qytetarit nga Gjilani se po e shëron autizmin ka reaguar edhe koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF.

KOMF-i ka kërkuar nga organet e rendit që të ndërmarrin urgjentisht masa për këtë rast ndërsa ka reaguar edhe ndaj përhapjes së pretendimeve që autizmi është diçka që mund të shërohet.

“KOMF ngre alarmin dhe i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat sipas legjislacionit në fuqi për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla të rrezikshme dhe të paligjshme. KOMF reagon edhe ndaj përhapjes së pretendimeve të pabazuara shkencërisht që autizmin e paraqesin si diçka që mund të “shërohet”. Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë”, thuhet mes tjerash në reagimin e KOMF-it.

Sipas KOMF-it është urgjencë informimi i përgjegjshëm, përmirësimi i politikave publike dhe investimi në kapacitet e shërbimet që fuqizojnë fëmijët me autizëm por edhe familjet e tyre.