Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se nuk po mund t’i ndihmojnë qytetarëve për dëmet që u shkaktuan nga stuhia gjatë ditës së djeshme për shkak se, sipas tij, komunat në pesë vjetët e fundit nuk kanë më fond emergjent.
Ai ka thënë se kanë dalë në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve, raport i cili më pas do të aprovohet në Asamblenë Komunale e do t’i dërgohet komisionit të Qeverisë.
Në një lidhje direkt në emisionin “tre8tre” të KTV-së, Muharremaj u shpreh se është fat në fatkeqësi që nuk pati dëme në njerëz, por dëmet materiale janë të mëdha.
“Më vjen mirë që s’kemi pas dëme njerëz. Ka mundur të jetë me dëme fatale. Kemi komplet pullazet e dy shkollave që kanë rënë tokë. Paramendo po të kishte nxënëse. Ka ra edhe një pullaz komplet i një objekti banesor. Për fat të mirë, dëme në njerëz jo, por dëmet materiale janë shumë të mëdha. Në pesë vjetët e fundit, jo vetëm Suhareka, por asnjë komunë nuk ka fond emergjent. Nuk kemi mundësi me iu dal në ndihmë”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Suharekës bëri të ditur se kanë themeluar tri komisione – atë për vlerësimin e dëmeve në bujqësi, në arsim dhe në shërbimet publike. Tregoi për problemet me të cilat po përballen qytetarët e Suharekës dhe fshatrave përreth.
Edhe
Stuhia e fortë shkakton dëme në Suharekë
“Mbrëmë në orët e vona kanë thirr bujqit që me i vlerësu dëmet, sepse bujqësia nuk pret. Duhet të punohet prapë. Ka shumë serra të dëmtuar. Katër lokale private i kanë kulmat në tokë. Kemi 42 fshatra, kanë probleme me rrymë. I kam bërë apel KEDS-i që të rregullojë sa më shpejt dëmet”, ka thënë Muharremaj.
Theksoi se për herë të fundit dëmet janë kompensuar në vitin 2019.