Arbëri

Muhaxhiri: Nga kjo situatë politike humbësja më e madhe është Vetëvendosja

artan muhaxhiri

Sociologu Artan Muhaxhiri ka thënë se kjo që po ndodhë në situatën politike,  nuk ka ndodhur më herët.

Sipas tij, më herët kur ka pasur bllokada, ka pasur përpjekje për të gjetur zgjidhje, duke shtuar se tash, nuk ka as përpjekje.

Ka shtuar se kjo që po ndodhë, po ndikon në humbjen e besimit në politikë.

“Kjo situatë ka prodhuar zhgënjim te njerëzit. Këta politikanë nuk po e dinë çfarë dëmi po i bëjnë Kosovës. Për herë të parë po ndodhë që njerëzit po refuzojnë të merren me politikë. Kjo është shumë e dëmshme për Lëvizjen Vetëvendosje. Nëse ky distancim i qytetarëve nga politika bëhet edhe më i madh, humbësja më e madhe do të jetë Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo situatë politike mund të ndikojë në rritjen e migrimit.

Ai ka thënë se po shkatërrohet besueshmëria në diskursin publik dhe në idenë që shteti mund t’ua zgjidhë jetën qytetarëve.

Muhaxhiri ka thënë se deputetët e rinj do të “infektohen me virusin e poshtërsisë e mungesës së moralit”.

“Kjo që po ndodhë tash do t’i lë me pasoja jetësore këta politikanë të rinj. Asnjë nga partitë nuk kanë plan. Kjo që po shohim është një teatër absurd”, ka thënë ai.

Muhaxhiri: Policia është politizuar

Sociologu Artan Muhaxhiri, ka thënë se janë zhgënjyese rastet e fundit të Policisë.

Ai në emisionin Interaktiv ka thënë se ngjarjet e tilla nuk janë të papritura, duke shtuar se ky Policia është politizuar shumë.

Sipas tij, arrestimi i policëve ditëve të fundit tregon “për një gjendje katastrofale në këtë institucion”.

“Për disa është më e rëndësishme t’i pëlqejnë ministrit sesa ta bëjnë punën e tyre. Shteti nuk ka të drejtë të përdorë dhunë kur nuk ka arsyetim. Ata policë e kanë një lloj lirie për t’u shfrenuar sepse nuk kanë ndjenjë ndëshkimi. Nëse këta policë dalin të pafajshëm, do t’ua rritë zellin të tjerëve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se duhet të ketë shkarkime për rastet e fundit në Policinë e Kosovës.