Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i pritur, derisa ka theksuar se gjithçka që ka ndodhur deri më sot rreth konstituimit të Kuvendit “është çmenduri politike”. Kushtetuesja ka vendosur se seanca konstituive nuk ka përfunduar pa zgjedhjet në nënkryetarit serb.
Por, Muhaxhiri nuk pret reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje, përkundrazi parasheh që LVV-ja ta sulmojë gjykatën për këtë vendim.
“Nuk pres, do doja shumë që të reflektonte Kurti dhe të sillej në mënyrë më normale, pragmatike, racionale. Por pres që sonte të ketë një sulm total nëpër rrjete sociale kundër Gjykatës Kushtetuese, ta barazojnë me Listën Serbe. Kjo është për keqardhje”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ai e ka quajtur zhgënjim të madh që politikanët po humbin kohë, resurse, financa e imazh pa pasur një ide se do të arrihet diçka.
“Situata është e qartë , kjo çka ka bërë VV-ja është jokushtetuese dhe kushtetuese është vetëm veprimi tjetër, pra duhet të zgjidhet një nënkryetar i komunitetit serb sepse kështu thotë Kushtetuta. Çdo gjë tjetër është poshtërsi, humbje e kohës. Përgjegjësia këtu është e partive të tjera që domosdo duhet ta votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe sepse përndryshe do bëhen palë me VV-në, pra kundërkushtetues”, u shpreh ai.
Muhaxhiri ka potencuar se Gjykata nuk ka lënë asnjë dilemë dhe se tash u takon partive të tjera ta votojnë apo se a do “të bëhen viktima dhe pengje të Kurtit, të VV-së, të një pseudopatriotizmi të pështirë”.
“Nuk e di a janë aq të padijshëm, a janë të korruptuar a janë të shantazhuar, a çka është problemi i PDK-së, LDK-së e AAK-së që po shkojnë veç në favor të Kurtit. Është një qasje bizare që secilin veprim që e kanë bë deri tash në Kuvend ka qenë pothuajse në favor të VV-së”, ka thënë ai.
Kushtetuesja i ka obliguar deputetët që të kryejnë çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.