Banorët e Mirenës së Lipjanit po përballen me defekte të shpeshta në rrjetin e energjisë elektrike, i cili është vendosur 35 vjet më parë. Ata prej vitesh thonë se kanë kërkuar nga KEDS-i që të investojë në rrjet, por thonë se deri tash kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh
Rreth 80 familje të fshatit Mirenë të Komunës së Lipjanit prej vitesh po përballen me telashe të energjisë elektrike si pasojë e rrjetit dhe shtyllave të vjetruara.
Banorët kanë kritikuar KEDS-in se ankesat dhe kërkesat e tyre për investime nuk po shqyrtohen asnjëherë, megjithëse janë taksapagues të rregullt.
Ata kanë deklaruar se sa herë që ka të reshura, kabllot e rrymës këputen, ndërkohë obligohen që me vetiniciativë t’i rregullojnë ato.
“Shtyllat mund ta mbysin dikë. Të gjitha shtyllat janë të dëmtuara dhe katastrofë. Kabllot e rrymës janë të këputura, nuk shkon asnjë muaj pa u këputur ndonjë kabull, sa herë që ka erëra të mëdha këputen kabllot”, ka thënë Nazmi Azemi, banor,.
Shqetësime të shumta ka edhe banori Brahim Bytyqi.
“Shqetësimet tona janë të shumta, por ndër to është edhe rryma. Kemi shtylla shumë të rrëzuara dhe nuk janë rregulluar që nga paralufta. Siç po shihen edhe shtyllat nëpër oborre, nga të cilat janë të rrezikuar edhe fëmijët dhe janë të rrezikuar banorët. Nuk po vijnë t’i ndërrojnë, këto janë shtylla më shumë se 35 vjet”, tha ai.
Fatgëzim Azemi, anëtar i Kryesisë së fshatit, ka thënë se vazhdimisht banorët përballen me defekte në pajisje të amvisërisë shkaku i defekteve të energjisë elektrike.
“Ne si anëtar i Kryesisë vazhdimisht kemi bërë kërkesa në e-mail dhe në zyre të KEDS-it, por asgjë nuk është investuar sa i përket energjisë elektrike. Gjendja është shumë katastrofë, sepse gjithmonë ka probleme çdo muaj e çdo ditë me energjinë elektrike”, pohoi Azemi.
KEDS-i gjatë javës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHES lidhur me këtë çështje.