Arbëri

Mungesa e ujit të pijshëm – reduktime në shumë komuna

Mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta kanë filluar të ndikojnë dukshëm edhe në furnizimin me ujë në disa zona të vendit. Banorët e lagjes “Bregu i Diellit” kanë thënë se të dielën nuk kanë pasur ujë gjatë tërë ditës. Në KRU “Prishtina” kanë thënë se nuk janë në dijeni të këtij problemi. E në kompanitë e tjera rajonale kanë njoftuar se kanë nisur me reduktime shkaku i mungesës së ujit.

Përveç temperaturave të larta, qytetarët e shumicës së komunave të Kosovës, ditëve të fundit po përballen edhe me reduktime të ujit. Xhelal Zeqiri, i cili jeton në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, thotë se mungesa e ujit po ua vështirëson jetën.

“Ka qenë vapë, nuk kemi pasur ujë as për larje, as për ushqim. Edhe më e keqja është që asnjëherë nuk njoftohemi kur ndodhin këto reduktime. Nuk ka pasur ujë tërë ditën, ne jemi në moshë, ujë na duhet, nuk është hera e parë që po ndodh me këto reduktime, shpenzime po kemi, se faturat po duhet me i pagu edhe pse ujë nuk kemi, e në mungesë të ujit po duhet edhe të blejmë edhe ujë”, ka thënë Zeqiri.

Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”, të cilët ditë më parë kanë bërë thirrje te qytetarët për kursim të ujit, kanë thënë se tash për tash nuk janë duke e aplikuar asnjë reduktim.

Zëdhënësja, Arjeta Mjeku, ka thënë se ata janë të njoftuar për situatën në “Breg të Diellit”.

“Ne nuk jemi duke e aplikuar asnjë reduktim për momentin. Në rast se ka ndonjë reduktim, do t’i njoftojmë qytetarët me kohë. Edhe kur ka ndonjë ndërhyrje apo punime në rrjet, njoftimi bëhet paraprakisht. Mirëpo, nëse ka ndonjë ankesë, qytetarët duhet të lajmërohen në zyrën e konsumatorëve, që pastaj ne t’i dërgojmë ekipet në terren”, ka theksuar Mjeku.

Shkaku i temperaturave të larta, Mjeku ka thënë se niveli i ujit në liqenin e Badovcit tashmë është 4 metra nën nivelin maksimal.

Problemin e njëjtë me mungesë të ujit e kanë edhe qytetarët në disa komuna të tjera.

Nga Ujësjellësi Rajonal i Pejës kanë konfirmuar për KOHËN se shkaku i mungesës kanë filluar me reduktime.

“Gjendja me furnizim është nën normën e nevojshme, çka na detyron të aplikojmë reduktime në disa zona të mbulueshmërisë sonë, veçanërisht në Pejë dhe në Istog. Nuk posedojmë rezervuarë, por ujin e shpërndajmë direkt nga burimet natyrore, të cilat aktualisht janë nën nivelin e zakonshëm. Fatkeqësisht, burimet janë të reduktuara si pasojë e thatësirave të fundit, të cilat kanë ndikuar jashtëzakonisht shumë në sasinë e ujit të disponueshëm”, thuhet në përgjigjen e KRU “HIDRODRINI”.

Reduktime të ujit ka edhe në komunat që i furnizon kompania “Hidroregjioni Jugor”.

“Temperaturat e larta kanë ndikuar në rënien e nivelit të disa burimeve, ndaj janë aktivizuar burimet rezervë për ta garantuar vazhdimësinë e furnizimit me ujë, si në qytet, ashtu edhe në fshatra. Në Suharekë janë në fuqi disa reduktime të përkohshme, të cilat janë të evidentuara dhe të menaxhuara nga kompania. Ndërsa në Malishevë gjendja e furnizimit nuk është e mirë. Reduktimet janë të pranishme veçanërisht në zonat që furnizohen nga stacioni i pompimit në Banjë”, bën të ditur kompania që e mbulon rajonin e Prizrenit.

Sipas rezultateve të fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, rrjedhat e lumenjve në Kosovë sivjet janë nën mesatare si pasojë e reshjeve të pakta.