Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e ka quajtur gënjeshtër pretendimin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili sot akuzoi Qeverinë se po e bllokon buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Sipas Muratit, buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së voni deri me 30 shtator ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor.
Ka shkruar në Facebook se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin as me 30 shtator, e madje as me 31 tetor.
“Përparim Rama, përkatësisht asambleja e Komunës së Prishtinës ka miratuar projekt-buxhetin komunal me 9 dhjetor, pra pas të gjitha afateve ligjore. Kjo vonesë nënkupton që për të hyrë në fuqi projekt-buxheti komunal, nevojitet një ndryshim/plotësim i Ligjit të Buxhetit nga ana e Kuvendit. Siç e dini, Kuvendi tash e sa muaj po mbahet i bllokuar nga opozita që po e shkel Kushtetutën duke mos votuar”, ka shkruar ai.
Sipas tij, tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjidhet qeveria e re, mund të iniciohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës.
“Sa plason akuza të pavërteta, Përparim Rama e ka shumë më të lehtë që t’i kërkojë partisë së tij, LDK-së, që të kryejë obligimin kushtetues e të votojë për konstituim të Kuvendit, ashtu që pastaj të mundësohet edhe plotësimi i Ligjit të Buxhetit me buxhetin e Komunës së Prishtinës”, ka shkruar ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë se qëllimisht po e bllokon buxhetin e kryeqytetit.