Arbëri

Murati: LDK-ja, adresa e bllokadës për buxhetin e Prishtinës

Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës është fajtore për mosmiratimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025.

Sipas tij, refuzimi i LDK-së por edhe i Partisë Demokratike që Kuvendi t’i formojë komisionet e veta, po nxit “krizë artificiale që vendi të vihet para një vështirësie financiare”.

Sa i përket buxhetit të Komunës së Prishtinës, që nga qeveria në detyrë u miratua të premten dhe u dërgua në Kuvend, Murati ka thënë se zyrtarët e komunës po përpiqen “përmes dezinformatave të mashtrojnë opinionin publik”.

“Dezinformata e parë është se kinse po diskriminohet gjoja nga Qeveria. Por janë tri komuna që s’e kanë miratuar buxhetin 2025. Dezinformata e dytë është se është bllokuar buxheti dhe nuk ka fare buxhet të alokuar. Po të mos kishte të alokuar s’do të mund të paguheshin as pagat. Qeveria i ka alokuar buxhetin sipas ligjit dhe ligji parasheh që komuna në këtë rast kur dështon duhet të operojë me buxhetin e vitit paraprak që i alokohet çdo muaj nga 1/12 e buxhetit që të mbulohen shpenzimet esenciale dhe të domosdoshme”, ka thënë Murati në emisionin 038 në KTV.

Murati ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka përcjellë në Ministri buxhetin më 17 dhjetor 2024, tre muaj pas kërkesës ligjore. Sipas tij, po që se shkresa t’i përcillej para 22 nëntorit kur u miratua Buxheti i shtetit, atëherë do të mund të përfshihej kjo si amendament. Megjithatë, ai ka thënë se Prishtina e ka dërguar njoftimin me një muaj vonesë pas mbylljes së buxhetit të shtetit.

“Ne më pas e kemi dërguar te Kuvendi që të shqyrtohet buxheti i Prishtinës, por problemi ishte që Kuvendi seancën e fundit e ka mbajtur të rregullt më 5 dhjetor 2024”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kuvendi e ka pasur të pamundur të vazhdonte me këtë çështje për shkak të moskonstituimit. E ai ka thënë se as LDK-ja “s’ka shprehur interesim për seancë të jashtëzakonshme në janar”.

Duke komentuar dërgimin e vendimit të Qeverisë për buxhetin e Prishtinës për miratim në Kuvend të premten, Murati ka thënë se “LDK-ja akuzon Qeverinë, por vetë refuzon ta funksionalizojë komisionin për buxhet”.

“Kush është bllokuesi këtu?” ka pyetur ai.

“Duhet të ketë vullnet nga dy partitë në Kryesi të Kuvendit, PDK-ja dhe LDK-ja, e më së tepërmi nga vetë LDK-ja që do të duhej t’ia qante hallin, por nëse vetë ajo refuzon ta kalojë buxhetin e Prishtinës në Kuvend, është e qartë se ku është adresa e bllokadës”, ka thënë ai.

Një ditë më parë, pa epilog pozitiv u përmbyll mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Partitë politike nuk u pajtuan që të vënë në funksion trupat e legjislativit për të adresuar telashet, me të cilat mund të përballet vendi, si rezultat i mungesës së mosmiratimit të buxhetit. Opozita i konsideroi joligjore dhe jokushtetuese përpjekjet për formim të komisioneve, duke thënë se ende nuk dihet se kush është pozitë e kush është opozitë dhe se ai që ka sjellë buxhetin “është edhe ministër edhe deputet”.