Arbëri

Mustafa: Propozimi i mandatarit të dytë e zgjat bllokadën dhe çon në kolaps

Arben Mustafa, anëtar i Kryesisë së PDK-së, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është i gatshëm për zgjedhje për çka, sipas tij, LVV-ja po propozon mandatar të dytë për ta zgjatur pushtetin e saj.

Mustafa ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është e aftë t’i krijojë institucionet.

“Nuk është ndryshim i situatës sepse është vazhdim i lojës së njëjtë i zgjatjes së bllokadës. Vetëm se po shtjerrën mjete të ndryshme nga Albin Kurti. Tash po shohim se nuk janë të gatshëm për t’u ballafaquar me vullnetin e qytetarëve duke qenë të vetëdijshëm për dëmin që ua kanë shkaktuar. Kemi një lojë politike që e ka futur vendin në një bllokadë”, ka thënë ai në “60 Minuta”.

Mustafa ka theksuar se shtyrja e zgjedhjeve e shtyn vendin drejt kolapsit.

“Këto janë lojëra politike, lojëra në kërkim të hedhjes së fajit te të tjerët kur e dinë që fajin e kanë ata për institucionet. Ne mendojmë se duhet të shkojmë në zgjedhje në afatin e parë kushtetues që i bie në fillim të dhjetorit. Propozimi i mandatarit të dytë është i dëmshëm sepse e zgjat bllokadën dhe e ofron vendin më afër një kolapsi për shkak të buxhetit”.

Glauk Konjufca është propozuar për mandatar për formimin e Qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje. Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat. Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.

PDK-ja dhe LDK-ja kanë deklaruar se nuk do të votojnë asnjë mandatar të VV-së.