Arbëri

Nagavci insiston se 80 € mjaftojnë për tekstet, por shumë prindër as ato nuk i kanë marrë

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka mbrojtur skemën e subvencionimit me 80 euro për çdo nxënës të klasave nga 1 deri në 9, duke thënë se kjo shumë është e mjaftueshme për sigurimin e teksteve. Sipas saj, nxënësit nga klasa 6 deri në 9, librat bazë duhet t’i marrin në shkollë e t’i blejnë vetëm fletoret e punës

Viti i ri shkollor ka nisur të hënën, por shumë nxënës procesin e kanë filluar pa u pajisur me libra. 
Shkak është bërë mospagesa nga shteti për prindërit. 

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, në urimin e saj, ka thënë se po nis një udhëtim i dijes, i mbushur me sfida dhe mundësi të reja për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

Ajo po ashtu ka mbrojtur skemën e subvencionimit me 80 euro për çdo nxënës të klasave nga 1 deri në 9, duke thënë se kjo shumë është e mjaftueshme për sigurimin e teksteve.

“Kam parë disa reagime, të them të drejtën më shumë nga persona politikë. Sa i përket shumës, ne kemi raportet nga terreni. Sivjet kemi ndarë nga 80 euro për të gjithë nxënësit. Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën i blejnë komplet tekstet, ndërsa ata nga klasa e gjashtë deri në të nëntën përdorin tekstet bazë të viteve paraprake, ndërkohë që fletoret e punës blihen nga kjo shumë. Edhe në vendet e zhvilluara të Evropës tekstet përdoren disa vjet radhazi”, ka thënë Nagavci.

Në disa shkolla të kryeqytetit, ku KOHA ka qëndruar gjatë ditës së hënë, disa prindër janë ankuar se kjo shumë nuk është e mjaftueshme për blerje të librave, por nuk kanë pranuar të flasin publikisht.

Për vështirësitë e prindërve ka folur të hënën edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, e cila ka thënë se subvencionet nuk janë shpërndarë me kohë dhe se kostoja e librave është shumë më e lartë sesa e mbulon Ministria.

“Ky 1 shtator prindërit i gjen me vështirësi në sigurimin e teksteve shkollore. Prindërit sot nuk i kanë marrë subvencionet për shkak të teknikaliteteve që i ka vendosur Ministria. Kostoja e librave është shumë më e lartë, vetëm për klasat 1 deri në 5 shuma 80 euro nuk e mbulon gjithë shpenzimin, pasi seti i librave me fletoret e punës shkojnë deri në 120 euro”, ka thënë Lushaku.

Ky është viti i tretë rresht, që Qeveria subvencionon prindërit për blerje të librave. Më herët librat shpërndaheshin në shkolla.

Procesi i subvencionimit, edhe në dy vjetët e kaluar, ka zgjatur përtej 1 shtatorit – kur është dita e parë e vitit shkollor.

Ndërkohë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se këtë vit mësimi do të zhvillohet edhe me mbështetjen e kurrikulave digjitale.

“Tabelat e mençura po ashtu në secilën klasë, prandaj edhe nëse i kanë librat apo nuk i kanë fëmijët, ne jemi të gatshëm me kurrikulat digjitale dhe kjo është një ndihmesë e madhe për secilin fëmijë”, ka thënë Rama.

Me gjithë investimet në digjitalizim, drejtori i Arsimit në Prishtinë, Samir Shahini, ka thënë se sektori që udhëheq është përballur me shumë vështirësi gjatë kësaj kohe, duke theksuar se edhe shërbimet bazë kanë qenë të rrezikuara.

“Që një vit kemi pritur pothuajse një vizitë të ministres Nagavci, tashmë në detyrë, që ta shohë nga afër mësimin tërditor para se të inspektojë me Inspektoratin e Arsimit. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur. Këtë herë urojmë të kemi një qasje tjetër, duke parë edhe programet politike pothuajse të të gjithë kandidatëve, që ta përfshijnë mësimin tërëditor, duke marrë modelin e kryeqytetit, të nisur nga kryetari Rama dhe Jehona”, ka thënë Shahini.

Viti i ri shkollor në kryeqytet ishte planifikuar të niste edhe me tabela të mençura në të gjitha shkollat, projekt i Ministrisë së Arsimit me vlerë prej 8.5 milionë eurosh, por i cili është pezulluar pas ankesës së një operatori ekonomik.