Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se gjetjet për mësimin tërëditor të zhvilluar në Prishtinë kanë treguar se në shumicën e rasteve ishin thjeshtë improvizime dhe se fëmijët qëndrojnë për një kohë të gjatë pa një program të përcaktuar dhe pa një kujdesje që u takon.
Nagavci në një bisedë për emisionin “Sot” në KTV ka treguar se përkrah zhvillimin e mësimit tërëditor, por tha se duhet të zhvillohet në mënyrë adekuate e jo me improvizime.
“Raportimet, por edhe adresimet nga prindërit qoftë edhe përmes letrave formale në MASHTI në lidhje me organizimin e mësimit tërëditor ishin të shumta. Gjetjet kanë qenë se në shumicën e rasteve kanë qenë improvizime, se fëmijët qëndrojnë për një kohë të gjatë pa një program të përcaktuar, pa një kujdesje që u takon. Zakonisht mbahen në klasa gjatë tërë kohës pa aktivitete jashtë kurrikulare”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka treguar se ka dërguar inspektorë për këtë dhe po ashtu Instituti Pedagogjik ka hasur në vështirësi, pasi Komuna e Prishtinës që nga viti 2024 ka pamundësuar që Instituti të realizojë studimet se si po shkon mësimi tërëditor.
“I ka shtyrë deri pas përfundimit të zgjedhjeve. Por, në bazë të raportimeve edhe të psikologëve shkollorë, por edhe kur kanë nisur vizitat nga Institutit, gjetjet janë në mjaft raste shqetësuese e jo të kënaqshme. Është e qartë e të gjitha të dhënat tregojnë se organizimi i mësimit tërëditor duhet të bëhet, por duhet të riorganizohet me aktivitete të shumta dhe në bashkëpunim të ngushtë me prindërit”, tha Nagavci.
Ajo thotë se beson se tash kur kanë përfunduar zgjedhjet, Komuna e Prishtinës do të jetë më bashkëpunuese. E ka treguar se MASHTI planifikon mësimin tërëditor në të gjitha komunat dhe se ky është premtim zgjedhor, por duhet të bëhet me aktivitete të mirëplanifikuara.
Sa i përket ndryshimeve në kurrikulën e programeve lëndore Nagavci ka thënë se ka filluar procesi i monitorimit dhe ku ka nevojë të bëhet ndryshimi do të bëhet. Ndërsa për çështjen e çantave të rënda të fëmijëve, Nagavci ka thënë se kjo çështje nuk lidhet me kurrikulë, por ka më tepër të bëjë me organizimin e brendshëm të shkollave dhe mësimdhënësve individualisht.