Arbëri

Nazarko: Organizimi i samitit i ndihmon Shqipërisë në integrim

Analisti Mentor Nazarko e ka cilësuar organizimin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë si një ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë, duke theksuar se ky zhvillim e ndihmon vendin në rrugën drejt integrimit evropian.

“Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme për një vend të vogël si Shqipëria. Samiti ndodhi në një kohë kur Evropa dhe bota po përballen me dy nga konfliktet më të përgjakshme pas Luftës së Dytë Botërore – në Ukrainë dhe Gaza”, u shpreh Nazarko në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai theksoi se samiti erdhi pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, ku Edi Rama siguroi mandatin e katërt, një situatë, të cilën Nazarko e konsideroi të rrallë në politikën evropiane.

“Sot, liderët evropianë ia legjitimuan fitoren këtij udhëheqësi”, ka thënë Nazarko, duke shtuar se për integrimin në BE ekziston një garë ndërballkanike dhe se Shqipëria, sipas tij, i ka parakaluar vendet si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas Nazarkos, organizimi i këtij samiti e rrit seriozitetin dhe fuqizon imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë. Ai vlerësoi se një ndër arsyet themelore të kësaj pozite të privilegjuar është politika e jashtme neutrale e Shqipërisë në rajon dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë – një qasje që, sipas tij, është parë negativisht në Kosovë, por që evropianët e kanë përshëndetur.

Në fund, Nazarko kritikoi qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj Shqipërisë, duke thënë se ka pasur një keqlexim të konjukturës dhe zhvillimeve ndërkombëtare.