Qeveria e Kosovës ka miratuar rregulloren e re për masat disiplinuese ndaj nëpunësve civilë, e cila parasheh edhe ndalesa deri në 50 për qind të pagës bazë nëse konstatohen shkelje të detyrave dhe përgjegjësive. Veç kësaj, me rregulloren e re shkeljet e nëpunësve të kategorisë së lartë do të trajtohen edhe nga ekspertë të jashtëm, të cilët parashihen të jenë pjesë e komisioneve disiplinore nëpër institucione publike
Njëzet deri në pesëdhjetë për qind e pagës bazë për një periudhë deri në gjashtë muaj është masa që mund t’u shqiptohet shërbyesve, sipas një rregulloreje të re të miratuar nga Qeveria e Kosovës.
Krahasuar me dokumentin paraprak që rregullon këtë çështje, ndryshimet janë të shumta dhe ato nisin që nga emri i dokumentit. Nga rregullore për “Disiplinën dhe ankesat e zyrtarëve publikë” tani është reduktuar në vetëm rregullore për “Disiplinën e nëpunësve civilë”.
Shkeljet janë kategorizuar në të lehta dhe të rënda. Mes shkeljeve të rënda përmendet edhe shpërndarja e informacioneve që mund ta vënë në lajthitje institucionin.
“Shkelje të rënda konsiderohen: 3.1. mospërmbushja e detyrave të punës; 3.2. neglizhencë e vazhdueshme në përmbushje të detyrave të punës; 3.3. mosrespektimi i afateve të caktuara për përmbushjen e detyrave të punës; 3.4. moszbatimi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale; 4 /12 3.5. veprimet apo mosveprimet që kanë shkaktuar pasoja; 3.6. shkelja e rregullave të përcaktuara në kodin e etikës; 3.7. sjellje e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil; 3.8. vënia në lajthitje e organit publik përmes dhënies së informatave të gabuara ose fshehja e të dhënave zyrtare kur kërkohen për qëllime zyrtare”, shkruan në rregulloren e cila u miratua në mbledhjen e 24 janarit”, shkruan në dokument.
Ndryshe prej rregullores paraprake, neni 15 specifikon edhe dënimet që mund t’u shqiptohen nëpunësve.
Masat disiplinore, të cilat mund të shqiptohen ndaj nëpunësit civil për shkelje të rënda janë ndalimi nga njëzet për qind (20%) deri në pesëdhjetë (50%) e pagës bazë për një periudhë deri në gjashtë (6) muaj. Masat e tjera që parashihen janë ndalimi i avancimit/emërimit në kategori më të lartë, për një periudhë nga një (1) deri në pesë (5) vjet; transferimi në pozitë të ngjashme në klasë dhe kategori të njëjtë; ulja në pozitë; 3.5. pezullimi nga pozita pa pagesë deri në gjashtë (6) muaj; pezullimi nga pozita me ndalim deri në pesëdhjetë për qind (50%) të pagës bazë, deri në një (1) vit; largimi nga shërbimi civil.
Procedura disiplinore fillon mbi bazën e dyshimit të bazuar për shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës nga nëpunësi civil. Informatat e pranuara në mënyrë anonime së bashku me dëshmi të tjera mund të shërbejnë për të krijuar dyshimin e bazuar për fillimin e procedurës disiplinore.
“Nëse ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil, ndaj të cilit ka filluar një̈ procedurë disiplinore pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij, komisioni disiplinor mund të vendosë pezullimin e përkohshëm të nëpunësit civil ose të marrë çdo masë tjetër të përshtatshme, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Vendimi për pezullim sipas këtij paragrafi është̈ veprim i ndërmjetëm procedural ndaj të cilit nuk lejohet ankesa”, thotë rregullorja.
Dokumenti po ashtu i obligon nëpunësit civilë të institucionit që kur janë në dijeni apo dyshojnë për shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive, të kryera nga kolegë të të njëjtit institucion, t’i raportojnë ato me shkrim tek mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë.
Ndërkaq shkeljet do të trajtohen jo vetëm nga instancat e institucionit që i takon shërbyesi civil. Qeveria ka paraparë edhe punësimin e ekspertëve të jashtëm, të cilët do të jenë pjesë e komisioneve disiplinore për nëpunësit e kategorisë së lartë drejtuese.
Anëtari i jashtëm përzgjidhet nga ministri përgjegjës për administratën publike në bazë të një procedure transparente, publike dhe konkurruese, përmes shpalljes publike.
“Në institucionin tjetër shtetëror titullari i institucionit e themelon ad hoc komisionin disiplinor për nivelin e lartë drejtues me përbërjen si në vijim: 5.1. tre (3) nëpunës të kategorisë së lartë drejtuese; 5.2. dy (2) ekspertë të jashtëm. 6. Anëtarët e jashtëm që emërohen nga titullari i institucionit tjetër shtetëror sipas nënparagrafit 5.2 të paragrafit 2 të këtij neni, përzgjidhen në bazë të një procedure transparente, publike dhe konkurruese, përmes shpalljes publike”, shkruan në rregullore.
Lidhur me rregulloren e re KOHA ka kontaktuar kryetarin e Sindikatës së Shërbyesve Civilë të Kosovës, Mursel Zymberi. Por, ai ka thënë se për çështjen do të deklarohen pasi ta analizojnë dokumentin.
Anëtari si ekspert i jashtëm i Komisionit shtetëror për vlerësim dhe disiplinë dhe i Komisionit disiplinor për nivelin e lartë drejtues përfiton pagesë në vlerë prej 20 % të pagës bazë të kryesuesit për çdo procedurë disiplinore në të cilën merr pjesë.
Kjo rregullore nuk zbatohet për Presidencën, Gjykatën Kushtetuese, sistemin e drejtësisë, Kuvendin dhe institucionet e pavarura kushtetuese.