Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ndalet linja e autobusit për fshatin Dumnicë, banorët kërkojnë zgjidhje

Fshati Dumnicë

Prej dy muajsh, fshati Dumnicë, rreth shtatë kilometra larg Podujevës, ka mbetur pa transport publik, pasi autobusi privat në këtë linjë ka ndërprerë qarkullimin. Banorët po përballen me vështirësi të mëdha për të udhëtuar drejt qytetit. Në Komunën e Podujevës thonë se tash për tash nuk mund të bëjnë ndonjë zgjidhje për këtë problem.

Elda Islami

Nxënësit nga fshati Dumnicë, që është rreth shtatë kilometra larg qytetit të Podujevës, po përballen me mungesë të transportit për ta vijuar mësimin në qytet.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prej dy muajsh, autobusi privat që qarkullonte në këtë linjë është ndalur, duke lënë pa zgjidhje gjithë banorët e kësaj zone.

Sevdail Azemi, banor i fshatit, thotë se mungesa e transportit po u shkakton vështirësi të mëdha familjeve të kësaj ane.

“Ka problem për fëmijë, duhet me i bartë veç me vetura secili për vete. Dumnica i ka 600 shtëpi e është pa transport, pa autobus, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë pas lufte. Po si nuk është problematike se janë njerëzit nëpër punë, të zënë me punë të veta, duhet me humb punën. Me lëshu transportin, autobusin, me kanë autobusi për nxënës”, tha Azemi.

Pronari i kompanisë private “Leli Trans”, Blerim Topanica, thotë se arsyeja e ndërprerjes së qarkullimit të linjës lidhet me vështirësitë financiare dhe, siç shprehet ai, me konkurrencën nga taksitë ilegale.

Sipas Topanicës, ndonëse kanë marrë mbështetje nga Komuna e Podujevës kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për ta mbajtur linjën funksionale.

“Nuk ka punë për mua aty, nuk ka punë edhe për mua edhe për taksi ilegal. Unë në komunë disa herë e kam biseduar, ata nuk kanë mundësi me i largu ata taksitë ilegal. Neve kryetari na ka ndihmu me nga 500 euro mua dhe disa kompani të tjera me nga 500 euro deri në vitin e ri për çdo muaj. Edhe ata katër muaj gati 0-0. Edhe prapë jam shku te Bahriu, kam bisedu, por më thanë se nuk ka buxhet. Unë nuk kam kushte minimale, kurrfarë kushte nuk kam me punu andej. Unë kam apliku, lejen nuk e kam marrë se nuk janë ba hala”, tha Topanica.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, deklaron se linja Podujevë–Dumnicë konsiderohet njëra ndër më problematiket, për shkak të numrit të vogël të banorëve në atë zonë.

“Linja e autobusit Podujevë–Dumnicë është një prej linjave më problematike, kjo si pasojë e linjës së paqëndrueshme ekonomikisht, ku numri i banorëve është i vogël. Kemi insistuar edhe me operatorë të tjerë privat, të cilët kanë linja në pjesë të tjera të komunës tonë, që t’ju ofrojmë këtë linjë, mirëpo secili që i bën kalkulimet financiare del të mos jetë profitabile dhe kjo është arsyeja që nuk ka të interesuar edhe prej operatorëve të tjerë”, tha Selimi.

Ndërsa për taksitë ilegale, për të cilat operatori “Leli Trans” u ankua, komuna thotë se janë të pamenaxhueshme.

Selimi ka bërë të ditur se përveç linjës për Dumnicë, probleme me transportin publik ka edhe në fshatrat Repë dhe Sibovc.