Arbëri

Ndërprerja e energjisë, kryeqyteti zotohet t’u ndihmojë bizneseve

Perparim Rama

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kryeqyteti do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të themeluar Task Forcë për Qëndrueshmërinë e Bizneseve, për të vlerësuar dobësitë energjetike dhe për të propozuar zgjidhje lokale, e për të ofruar lehtësime tatimore të përkohshme dhe grante emergjente për bizneset më të prekura nga tranzicioni.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë thirrje për Qeverinë që t’u japë kohë të mjaftueshme bizneseve për t’u përshtatur dhe për të siguruar kontrata të drejta.

Sipas Ramës, mënyra dhe ritmi i zbatimit sa i përket liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë po vendos barrë të padrejtë mbi shtyllën kurrizore të ekonomisë.

“Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë Qendrore që të zbatojë një fazë kalimtare drejt tregut të liberalizuar, duke u dhënë bizneseve kohë te mjaftueshme për t’u përshtatur dhe për të siguruar kontrata të drejta. Të pezullojë kërcënimet për shkëputje, derisa të krijohet një kornizë mbështetëse gjithëpërfshirëse. Të angazhohet në dialog të hapur me udhëheqësit komunalë, odat ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve për të bashkëkrijuar një rrugë të qëndrueshme përpara. Në të njëjtën kohë, Prishtina do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të themeluar një Task Forcë për Qëndrueshmërinë e Bizneseve, për të vlerësuar dobësitë energjetike dhe për të propozuar zgjidhje lokale. Eksploruar bashkëpunime energjetike komunale dhe nisma për energji të ripërtëritshme për të ulur varësinë nga tregjet e paqëndrueshme. Ofruar lehtësime tatimore të përkohshme dhe grante emergjente për bizneset më të prekura nga tranzicioni”, ka shkruar ai. 

Ai tutje ka thënë se bizneset nuk janë thjeshtë njësi ekonomike, janë punëdhënës, inovatorë dhe ndërtues të komunitetit.

Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Në vendet e Bashkimit Evropian procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim të rritjes së konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.

Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.