Reshje të borës kanë përfshirë Kosovën dhe rajonin gjatë natës. Rrugët kryesisht kanë qenë të kalueshme, porse pasojat e rënies së temperaturave kanë prekur nxënësit. Në mungesë të aktivizimit të sistemit të ngrohjes, në shtatë shkolla në Prishtinë është punuar me orar të reduktuar
Dimri i hershëm e ka zënë të papërgatitur Kosovën.
Shkaku i uljes së temperaturave dhe borës që ka rënë gjatë natës, të premten në shtatë shkolla të Prishtinës, në të cilat realizohet mësimi gjithëditor, orët janë zhvilluar me orar të shkurtuar.
Samir Shahini, drejtori i Arsimit në kryeqytet, ka thënë se në mungesë të aktivizimit të ngrohtores së qytetit, nuk ka pasur alternativë tjetër pos shkurtimit të orarit mësimor.
“Shumica e shkollave janë duke funksionuar normalisht. Janë 7 shkolla deri tash që në koordinim me prindërit e kanë shkurtuar orarin, për shkak të lidhjes me ‘Termokosin’, e cila nuk lëshohet deri më datën 12, e që nuk ka pasur ngrohje alternative në dispozicion. Shkollat e tjera janë duke funksionuar me orar të rregullt”, ka theksuar ai.
Janë 33 shkolla, çerdhe dhe institucione të tjera arsimore në kryeqytet që varen nga shërbimi i ngrohjes që e ofron “Termokosi”.
Disa prindër të nxënësve nuk e kanë mirëpritur vendimin për shkurtimin e orarit në shkolla.
“Normal që nuk është mirë që fëmijët të kenë orar të reduktuar, për shkak që këto mungesa janë në dëm të tyre. Shpresoj që mos të vazhdojë më kështu, sepse humbin shumë mësim”, ka thënë Shukrije Gashi, fëmija e së cilës është nxënës në njërën prej shkollave në të cilat është shkurtuar orari mësimor.
Disa prindër të tjerë përmes rrjeteve sociale kanë kërkuar që “Termokosi” të mendojë edhe opsione për ngrohje në situata kur kushtet atmosferike ndryshojnë, para datës 15 tetor.
E në “Termokos”, gjatë së premtes kanë njoftuar se janë duke u kryer testimet përfundimtare të rrjetit dhe të të gjithë sistemit të ngrohjes. Sipas kësaj kompanie, në rast se kushtet klimatike mbetën të njëjta, ditëve të ardhshme do të fillojë furnizimi i jashtëzakonshëm me ngrohje për të gjithë konsumatorët.
Ndonëse në rajon ka pasur edhe ndërprerje të energjisë, në Kosovë nuk janë raportuar dëme të tilla nga bora.
Rrugët në Prishtinë kanë qenë të kalueshme, por vështirësi janë raportuar në zona të larta malore.