Arbëri

Bislimi: Arrihet dakordim me Serbinë për komisionin për të pagjeturit

Bislimi: Arrihet marrëveshja me Serbinë për komisionin për të pagjeturit

E përditësuar (19:45) -  Kryenegociatori Besnik Bislimi ka njoftuar të enjten në mbrëmje se është arritur dakordim me Serbinë në Bruksel për funksionalizimin e komisionit të përbashkët për jetësimin e marrëveshjes për personat e pagjetur.

“Qëllimi ishte të arrijmë dakordim të funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin apo zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe më në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv. Tani ka mbetur që në javët e ardhshme të takohen zëvendësit tanë dhe që të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”, ka thënë ai pas takimeve të mbajtura sot, ka raportuar korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj.

Bislimi ka bërë të ditur se takimet sot kryesisht kanë qenë bilaterale me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Ai ka thënë po ashtu se në pika të shkurtra janë prekur edhe elemente të tjera, për të cilat sipas tij, pritet të ketë lëvizje pas formimit të Qeverisë së re.

Ndërkaq, Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se pret që pas takimit sot “pret përshpejtim në drejtim të gjetjes së të gjithë të zhdukurve”. Petkoviq po ashtu ka deklaruar se në takimet me Sorensenin ka kërkuar sërish formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti dhe Vuçiq ishin dakorduar më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur. Palët ishin pajtuar për zbatim të plotë të kësaj deklarate edhe më pas.

Megjithatë, Serbia nuk ka pranuar të marrë pjesë në takime, sipas planifikimeve.

Takimi i sotëm qe i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit. Ndërmjetësi Peter Sorensen në mes të janarit në Kosovë dhe Serbi tha se pret që sivjet dialogu të marrë atë që më 2025 nuk e mori.

Kosova e Serbia nuk kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë që prej vitit 2023.


Dialogu në Bruksel, të pagjeturit pika kryesore e diskutimeve

E përditësuar (17:20) -  Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka njoftuar se temë kryesore e takimeve të sotme të ndara të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me lehtësuesin e Bashkimit Evropian, Peter Sorensen në Bruksel ishte çështja e të pagjeturve. 

Në një lidhje direkte për emisionin “60 Minuta”, Palokaj ka thënë se takimet janë në zhvillim e sipër, teksa ende nuk dihet nëse do të ketë një të tillë trepalësh. 

“Takimet janë në vazhdim e sipër. Në fillim ka pasur një takim bilateral të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me lehtësuesin e BE-së, Peter Sorensen, i cili ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, më pas ka pasur takim midis z.Sorensen dhe përfaqësuesit të Serbisë dhe tash pritet të shihet pas këtyre takimeve a do të ketë apo jo takim trepalësh. Ajo që kemi arritur të mësojmë është që temë kryesore e diskutimeve ka qenë çështja e të pagjeturve, më saktësisht implementimi i deklaratës së përbashkët për të cilën që nga 2024-ta kishin rënë dakord liderët e të dyja palëve, por që nuk ka pasur zbatim të suksesshëm të asaj deklarate”, ka thënë ai.

Palokaj ka shtuar se pika kryesore e diskutimeve të sotme është pikërisht nisja e punës së komisionit të përbashkët. 

“Palët mund të paraqesin edhe tema të tjera për diskutim, por a do të diskutohet për to apo jo varet edhe nga planet e lehtësuesit të BE-së, por edhe nga gatishmëria e palëve për të diskutuar për ato tema. Si zakonisht pala serbe edhe para ardhjes në Bruksel, ka thënë se do të kërkojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po ashtu do të kërkojë ndërprerjen e presionit ndaj serbëve në Kosovë”, është shprehur më tej ai. 


Sot në Bruksel takime të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë qëndrojnë sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut me të cilin ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Nuk janë dhënë hollësi rreth takimeve por pritjet janë që temë kryesore të jetë nisja e punës e Komisionit të përbashkët për të pagjeturit. Nëse do të ketë tema tjera apo jo varet edhe nga planet e të dërguarit të posaçëm për dialog Peter Sorensen dhe nga vullneti i palëve për të diskutuar për to.

Zakonisht takimet zhvillohen së pari ndaras mes lehtësuesit të BE-së me palët e pastaj, nëse palët bien darokd zhvillohet edhe takimi i përbashkët  trepalësh. Kështu pritet të jetë edhe sot.

Takimet e sotme do t’i shërbejnë BE-së dhe lehtësuesit edhe për të dhënë shenja se dialogu po vazhdon përkundër faktit se deri me tash nuk ka pasur ndonjë progres të prekshëm.

Nga zyrtarët e Serbisë, siç kanë raportuar mediat Serbe, kanë paralajmëruar se do të kërkojnë formimin urgjent të Asociacionit të Komunave Serbe dhe të tërheqin vërejtjen për atë që e quajn “presion ndaj Serbëve në Kosovë”.

Bashkimi Evropian ia ka konfirmuar KOHËS se takimi mes kryenegociatorëve po mbahet sot.

“Mund të konfirmojmë se emisari special i Bashkimit Evropian për Dialogun, Peter Sorensen është duke udhëhequr takimin e rregullt të kryenegociatorëve në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigje.

Së shpejti do të bëhen tri vjet prej kur BE-ja ka njoftuar se është arritur ajo që quhet “Marrëveshja e Brukselit” apo formalisht “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit”. Por deri më tash nuk ka pasur pothuajse fare implementim të kësaj marrëveshje. Ajo nuk ishte nënshkruar sepse këtë e kishte refuzuar Serbia, por BE-ja gjithmonë ka insistuar se zbatimi i saj është obligim ligjor i palëve.
Peter Sorensen ishte emëruar në postin e lehtësuesit të dialogut para një viti ndërsa rishtazi i është vazhduar mandati edhe për së paku dy vjet. Ai në këtë post e ka pasuar diplomatin nga Sllovakia Miroslav Lajçak.

BE-ja për mungesë të dialogut fajin ua ka lënë palëve dhe mungesës së gatishmërisë nga ana e tyre për të zbatuar obligimet nga procesi i dialogut. Si pengesë gjatë vitit të kaluar e kanë përmendur krizën politike në Kosovë pasi për një vit nuk u formuan institucionet sipas rezultatit të zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025 por edhe situatës së tensionuar politike në Serbi.